Shënohet 35 vjetorit i Nobelit të Nënë Terezës

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, përkrahur nga Qendra Informative Kulturore dhe Komuna e Çairit, sot shënoi 35 vjetorin e ndarjes së Çmimit Nobel të Paqes, për shkupjanen shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se “me marrjen e Çmimit “Nobel” nga Nënë Tereza, u vulos virtyti i njohur i shqiptarëve ndër shekuj, por që bota nuk e kishte njohur. Ne po mundohemi me të gjitha mundësitë që t’i dalim borxhit Nënë Terezës për aktivitetin e saj human, por edhe kombëtar, sepse ajo doli nga Shkupi dhe mes saj ne dëshmojmë për autoktoninë tonë iliro-shqiptare”.

Kurse, biografi personal i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, tha se “ne si shqiptarë e kemi një trashëgimi të pasur kulturore dhe shpirtërore nëpërmes Nënës Terezë, sepse bota na njohu në thelbin e asaj çka vërtet ne jemi si popull iliro-shqiptarë, me një histori, traditë dhe kulturë shumëshekullore, me figura të mëdha për të cilat bota na ka lakmi”.

Manifestimin e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe aktivisti Anton Sereçi.

Paraprakisht, biografi personal i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, i shoqëruar nga kryetari i Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” për Kosovë, vizitoi Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, ku bisedoi me drejtorin dhe punëtorët shkencor të Institutit, lidhur me dimensionin e gjerë human të nobelistes shqiptare Nënë Tereza. Me këtë rast, Don Lush Gjergji, bibliotekës së Institutit i dhuroi disa nga botimet e tij të fundit lidhur me Nënë Terezën, si dhe evokoi kujtime nga jeta dhe vepra e saj. Ai veç tjerash prezantoi edhe dorëshkrimin e vetë Nënë Terezës, që e kishte shkruar në një fletë të bardhë të Dom Lush Gjergjit, pas marrjes së Çmimit Nobel në Oslo. Letra fillon me fjalët Une gjithmon e kam në zemër popullim tem shqiptar…” dhe në fund nënshkrimiM Teresa Bojaxhiu”.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, u lind në Shkup më 26 gusht të vitit 1910, kurse vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë.Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, kishte deklaruar: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button