Patriotët

Ditëve të fundit është aktuale loja e “patriotëve” dhe “tradhtarëve”. Shumë individë por edhe parti politike të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e raporteve ndëretnike dhe ndërfetare, dhe rëndësinë esenciale të këtyre raporteve për mbijetesën e shtetit, vendosin që pikërisht mbi marrëdhëniet ndëretnike ta ndërtojnë konceptin dhe veprimin e tyre politik, duke keqpërdorur ndjeshmërinë emocionale që mbizotëron te popullata lidhur me këtë temë. Kështu që në mungesë të strategjisë dhe programit të mirëfilltë të veprimit, përmes të cilit do të garonin me oponentët politik, për ta fituar pëlqimin e trupit votues, ata zgjedhin një rrugë më të lehtë, por edhe njëkohësisht shumë të rrezikshme, që mund ta kërcënojë stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Për ta fituar pëlqimin e popullit, përdorin vetëm retorikë të zbrazët nacionaliste, ndërsa pasi të futen në institucione, bëhen më liberalë edhe se vetë aktivistët që mbrojnë të drejtat e lgbt-së, edhe atë kinse në emër të konstruktivitetit dhe qëllimeve madhore, të cilat na qenkan integrimet euroatlantike, ndërsa nga ana tjetër nuk janë të aftë të ndikojnë edhe në politika lokale, ku nuk kanë fuqi të ndryshojnë edhe një emër shkolle.

Patriotizëm është dashuri ndaj atdheut, dashuri ndaj popullit, dashuri ndaj kulturës së cilës i përket, dhe e gjithë kjo nuk mund të shprehet vetëm me fjalë boshe, por vetëm me punë, me kontribut individual për të mirën e përgjithshme dhe duke qenë të moralshëm, të ndershëm dhe të sinqertë ndaj shoqërisë dhe atdheut. Kështu shprehet atdhedashuria në zbatim praktik, e jo si disa nga “patriotët” e deritanishëm, të cilët si ujqërit nën lëkurën e deles, me paramendim dhe të vetëdijshëm kryejnë krim moral ndaj popullit dhe thirren në patriotizëm, njëkohësisht duke i etiketuar në tradhtarë të gjithë ata të cilët nuk pajtohen me mendimet e tyre, kështu që krijojnë vetëm ndarje të panevojshme në mesin e popullit, vetëm e vetëm për qëllime personale dhe interesa ekonomike.

Ka ardhur koha që t’i themi mjaft kuazi patriotizmit, populizmit dhe retorikave dashakeqe nacionaliste, që mbjellin vetëm urrejtje në mesin e popullit. Lojërat e fëlliqura nacionaliste nuk janë zgjidhje apo rrugëdalje nga situata katastrofale ekonomike, popullit i nevojitet siguri materiale, i nevojitet mbijetesë ekonomike, dhe ndërsa “patriotët” tonë e rrahin gjoksin se kush është patriot më i madh, vendi po shkretohet dhe populli në kërkim të një jete më të mirë, masovikisht po emigron. Kurdoqoftë do të përballemi me realitetin dhe do të shohim se në çfarë gjendje iluzionare kemi qenë. Prandaj të mos lejojmë që të vijmë deri në këtë derexhe, sa më herët të vetëdijesohemi dhe të mos lejojmë për interesa të imëta personale ta shesim shumë lirë interesin e përbashkët, i cili është më madhorë dhe prej të cilit varet ardhmëria jonë dhe e gjeneratave të ardhshme.

Mendoj se tani përfundimisht ka ardhur momenti kur populli duhet t’ia jep besimin për ta udhëhequr, njerëzve të ri, të cilët nuk kanë të kaluar të njollosur, nuk kanë hipoteka politike, njerëzve me moral, e të ndershëm, njerëz intelektual që e kanë dëshmuar veten në fusha të ndryshme, dhe gjithmonë duke i shërbyer popullit.

Lajme të ngjashme

Back to top button