Kur të merr trishtimi!

Të marrësh një rrugë, të shëtisësh shesheve, të dalësh që të qetësosh kokën nga rutina e neveritshme e jetës, detyrimisht do të përballësh me gjëra të cilat truri e mendja vështirë se do t’i pranojnë. Çfarë nuk të zë syri e çfarë nuk të dëgjojnë veshët!  Të thëna e të pathëna, veprime të shpërlara nga ajo e quajtur njerëzore, paarsyeshmëri e plotë e njerzëve dhe dukurive përreth tyre.

Të shohësh një femër të mitur, fëmijë, e futur në shportën e mbeturinave, për të gjetur një copë bukë, me cigare në gojë, e ç’është më e keqja, nga fryerja e barkut dukej të ishte nga muaji i pestë i shtatzanisë. Ky është tmerr e përtej tmerrit. E shoqëruar nga një i moshuar rreth të katërdhjetave, që me gjasë i bie të ishte babai i atij fëmije në barkun e saj, të shoqëruar me britma e piskama, të linte përshtypjen se po gjirohej një film me protagonist amatorë. Skena të papranueshme për syrin tonë, mallkime të padëgjueshme për veshët, sa që, sa të shtonin neveri, aq edhe mëshirë. Kë duhet fajsuar në këtë rast?! Vajzën e mitur, apo partnerin e saj?! Nga se ajo është vetëm një fëmijë, e pambrojtur dhe e harruar nga mëshira e fatit!

Sa shumë e shumë raste të ngjashme janë në këtë botë të padrejtë! Sa njeriu lufton për kafshatën e gojës, ndërkaq të tjerët luajnë me shifra marramendëse, sa të mjerë, gurët e trotuarëve i bëjnë jastëkë, e sa të tjerë ankohen nga dhimbjet e qafës, sepse jastëku i tyre ishte shumë i butë?! Sa e padrejtë tregohet jeta me njerëzit!

A duhet shpresuar në ditë më të mira, kur fëmijë të shumtë, në çdo cep të rrugës, në çdo kafene zgjatin dorën për lëmoshë, apo të ofrojnë çamçakëza në këmbim parash, shesin cigare ‘me fytyrë’, besa edhe fytyrën për para. Shesin nderin e moralin, shesin trupin e tyre! Besa gjykohen edhe gjërat më të fëlliqura, duke mos e ditur prejardhjen e problemit të tyre.

Po vyshkën lulet e rinisë tonë, akoma pa lulëzuar si duhet!

Këtu edhe gjykimi është njëdimensional dhe me interes. Anojmë me gjykimet tona nga më i forti, neglizhojmë dhe përbuzim të dobtit e të pambrojturit. Shoqëri moderne i thonë, ndërsa shkelin vetitë e të qenurit njëri, gjë që vetëm njerëz nuk mund ti quash. E si mund të quhet njeri, ai i cili mundohet të përfitojnë nga një fëmijë i pambrojtur, për të shfryrë epshet e tij, duke mos llogaritur në pasojat e mëpasshme, apo duke përfituar nga dobësia e një fëmije, qoftë për ta përdorur, qoftë duke e trafikuar?!

E nuk ka se si të mos marrin rrugën e pakthim shumë të rinj, të cilët nuk shohin qirinj shprese që ndriçojnë rrugën e tyrë të ardhmërisë! E si të mos kemi frikë të jetojmë këtu, kur vlen ligji që i forti e han të dobtin, apo duke besuar në dinjitet, siç thotë një fjalë që të presësh të mos të të kafshojë një qen, sepse ti nuk e kafshon atë

Thënë shkurt, po jetojmë në mjerim migjenian modern, por përveç kafshatës na mungon edhe njerëzia, nderi e dinjiteti.

Lajme të ngjashme

Back to top button