Energjia elektrike në Shqipëri, ndër më të shtrenjtat në Ballkan

Çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në Shqipëri vitin e ardhshëm pritet të arrijë në 11.08 lekë ose 9.5 cent për kWh, duke e bërë Shqipërinë një nga më të shtrenjtët në Ballkan.

Sipas çmimeve mesatare të raportuara nga agjencia statistikore europiane EUROSTAT, në rajonin e Ballkanit vetëm Mali i Zi dhe Rumania kanë çmime më të shtrenjta se sa Shqipëria ndërsa vendet e tjera kanë që të gjitha çmime më të ulëta, shkruan “Reporteri.al”.

Nga këto të dhëna del se Kosova ka çmimin më të ulët në Ballkan me 5.5 cent për kWh, pasuar nga Serbia me 6.1, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina me 7.9 dhe Bullgaria me 8.3 cent për kWh.

Çmimi më i shtrenjtë në Ballkan gjendet në Kroaci me 13.1 cent pasuar nga Rumania me 12.9 dhe Mali i Zi me 10.3 cent për kWh.

Çmimi i energjisë elektrike në vende të ndryshme të botës përcaktohet para së gjithash nga burimet e prodhimit të kësaj energjie si dhe nga standardet mjedisore të zbatuara në këtë sektor. Kështu, vendet që kanë prodhim të lartë të energjisë elektrike me burime hidrologjike kanë kosto më të ulëta prodhimi dhe rrjedhimisht edhe çmime më të ulëta.

Shqipëria mbulon mesatarisht 70 për qind të konsumit të vet me energji të prodhuar nga hidrocentralet, kostoja e të cilës është 1 lek. Kostoja e pranuar e transmetimit është 0.7 lekë për kWh. Këtyre u shtohen kostot e 30 për qind të energjisë elektrike e cila importohet me çmim mesatar prej 5 centësh për kWh për të mbërritur në një kosto mesatare të ponderuar prej rreth 2 lekësh. Mbi këto duhet të shtohet kostoja e transmetimit, shpërndarjes dhe humbjeve teknike.

Por shkaku kryesor se pse çmimi aktual mesatar kërkohet të rritet nga 9.5 në 12.3 lekë lidhet me faktin se rreth 40 për qind e energjisë së hedhur në treg vidhet ose nuk paguhet ndërsa kostot e energjisë janë të fryra nga keqmenaxhimi i sistemit elektroenergjetik në të tashmen dhe në të shkuarën. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button