Daçiq: BE nuk i ka kërkuar Serbisë njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë sot, se Bashkimi Evropian nuk ka kërkuar nga Serbia që ta njeh Kosovën si shtet.

“Serbia nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj lidhur me pavarësinë e Kosovës, dhe një gjë të tillë nuk e ka kërkuar as BE nga ne”, ka thënë Daçiq, në një konferencë të rregullt mujore për media, në Beograd, transmeton zeri.info.

Ai ka thënë se BE as që mund ta kërkojë një gjë të tillë nga Serbia, pasi që janë pesë shtete anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Daçiq ka shtuar se në letrat zyrtare të BE-së, nuk thuhet që Serbia duhet doemos ta njeh Kosovës, dhe madje siç shprehet ai ‘asnjë fjalë për një gjë të tillë nuk thuhet nga BE’.

“Një gjë të tillë mund ta thotë dikush në biseda jozyrtare, por në ato zyrtare nuk është thënë kurrë”, ka shtuar ministri i Jashtëm serb.

Daçiq ka thënë se ajo që ekziston në dokumentet zyrtare të Brukselit është që Serbisë i kërkohet që të vazhdojë dialogun me Prishtinën, dhe se ai dialog mbetet neutral ndaj statusit.

Ndryshe, reagimi i ministrit Daçiq ka ardhur pasi që presidenti serb, Tomislav Nikolić, ka thënë se ai është i vetëdijshëm që BE do të kërkojë nga Serbia që ta njeh pavarësinë e Kosovës dhe sipas tij për një gjë të tillë duhet sa më parë që të arrihet një konsensus kombëtar.

Por, kjo deklaratë duket se e ka nervozuar kryetarin e Partisë Socialiste Serbe, Ivica Daçiq.

“Duhet të ketë reforma në parti dhe ftojë anëtarët e partisë që të distancohen nga deklaratat e tilla që janë të dëmshme çoftë për partinë e çoftë për Serbinë”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button