Renzi votëbesohet, i delegohet e drejta për reformën e punësimit

Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi fitoi një votëbesim në Senatin italian gjatë së mërkurës, i cili i jep atij pushtetin të hartojë reformat e punësimit me synimin për ta bërë ekonominë “vazhdimisht të ngadalësuar” më kompetitive.

Qeveria e koalicionit të Renzit fitoi me 166 vota pro, përkundrejt 112 kundër në dhomën e lartë të Parlamentit me 315 vende.

I ashtuquajturi “projektligj delegues” nuk do të ndryshojë në vetëvete ndonjë ligj mbi punësimin, por i jep qeverisë mandatin e nevojshëm për ta bërë këtë gjë, pa shkuar më pas në Parlament për miratimin përfundimtar të tij.

Renzi tha se kërkon ta bëjë më të lehtë për kompanitë e mëdha të shkarkojnë punonjësit, të reduktojnë numrin e kontratave të përkohshme, si dhe të vendosë në dispozicion të të papunëve përfitime të mundshme, edhe pse është ende e paqartë nëse ai do të mund të gjejë parà për të zgjeruar këto përfitime.

“Akti për Punësimin është bërë tashmë ligj. Italia po ndryshon vërtetë dhe kjo është kthesa e duhur. Ndaj dhe ne shkojmë përpara”, ka komentuar menjëherë më pas Renzi në profilin e tij në Tëitter, duke iu gëzuar kështu aprovimit që i delegon atij të drejtën për të vijuar me planet e tij.

Ndërkohë, Nichi Vendola, një prej kritikëve më të mëdhenj të këtij akti delegues shkroi në rrjetet sociale se “kanë shpërbërë qytetërimin e të drejtave të punës dhe e kanë quajtur akti i punësimit. Të mendosh se humbja e të drejtave dhe të ardhurave mund të ndihmojnë sistemin ekonomik është një supersticion i pastër”, përfundon ai. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button