Kosovë, nga janari i vitit 2016, pa viza!?

Ministri në detyrë i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, në emisionin “Info-Box” të Radio Dukagjinit ka theksuar se migrimi ilegal i kosovarëve në drejtim të vendeve të bashkimit Evropian (BE), është kancer për rrugën integruese në mekanizmat e BE-së dhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Sipas tij, mesazhi që e kanë dërguar institucionet e Kosovës, në drejtim të qytetarëve të tyre, që mos të përdorin rrugë ilegale për tu larguar në drejtim të vendeve të BE-së, ka hasur në vesh të shurdhër, duke shtuar se “pamjet e e largimit të kosovarëve po e dëmtojnë më së tepërmi shtetin e Kosovës”.

“Shumica e qytetarëve që ia mësyjnë vendeve të BE-së, kërkojnë azil politik, gjë të cilën nuk e garanton liberalizimi i vizave. Procesi i liberalizmit të vizave, nuk do të ofrojë mundësi punësimi dhe qëndrimi, por vetëm e lehtëson udhëtimin e kosovarëve nëpër vendet e BE-së”, ka theksuar Kasapolli.

Ai më tutje ka theksuar se procesi i liberalizimi të vizave, nuk varet vetëm prej shtetit të Kosovës, por edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian.

“Trendi në gjashtë mujorin e parë ka qenë pozitiv, sa i përket numrit të kosovarëve që kanë kërkuar azil nëpër vendet e BE-së, mirëpo ky trend tash ka ndryshuar shumë për të keq. Migrimi ilegal nuk është shqetësim vetëm për Kosovën, pore edhe për tërë vendet e rajonit”, ka thënë Kasapolli, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, qeveria e Kosovës në bashkëpunim me ambasadat e huaja të akredituara në Kosovë, ka marrë një fushatë me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve, për procesin e liberalizimit të vizave, duke shtuar “se puna e matrapazëve (personat të cilët po abuzojnë me qytetaret, duke iu premtuar që do t’i largojnë nga Kosova) po arrin më shpejt tek qytetarët sesa mesazhet e institucioneve”.

Kasapolli ka theksuar se beson se në fund të vitit 2015 ose në fillim (Janar) të 2016, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e BE-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button