Hulumtim: Ja sa është i pranishëm korrupsioni në Maqedoni

Në raportin e publikuar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) për vlerësimin e korrupsionit në Maqedoni në vitin 2014, vërehet ulje e nivelit të korrupsionit në krahasim me vitin 2002, kur edhe është kryer hulumtimi i fundit i këtij lloji.

Hulumtimi bazohet në anketat që janë bërë në popullatë dhe në sektorin e biznesit. Korrupsioni është renditur si problemi i pestë më i madh i shtetit, pas papunësisë, varfërisë, të ardhurat e ulëta dhe çmimet e larta. Vlen të theksohet fakti që shifrat kanë të bëjnë me perceptimet e qytetarëve, andaj kjo ulje e raportuar mund të jetë për shkak të lajmërimit më të vogël në media.

Përderisa doganierët, gjyqtarët, ministrat dhe taksambledhësit janë perceptuar si më të korruptuar, nga ana tjetër profesionet tjera si mjek, pushtetar lokal, nëpunës policor dhe profesor universitar janë në të vërtetë janë më të korruptuarit.

Maqedonia ka një kornizë relativisht të mirë ligjore për të luftuar korrupsionin, por vërehet zbatimi i pamjaftueshëm në praktikë.

Alarmante është situata në sferën e biznesit ku sipas përfaqësuesve të biznesit, një kompani mesatarisht paguan 900 euro ryshfet gjatë vitit. Sipas Entit Shtetëror të statistikës, numri i bizneseve aktive në Maqedoni në vitin 2013 ka qenë 71,290.

Kjo do të thotë se “çmimi” vjetor i ryshfetit është mbi 64 milion euro. Situatat në të cilat bizneset zakonisht japin ryshfet janë kontrollet nga institucionet shtetërore, gjatë marrjes së licencave dhe gjatë fitimit të lejeve të ndërtimit.

Shuma më e madhe e ryshfetit e kap vlerën prej 600,000 denarëve dhe ka të bëjë me marrjen e një licence. Alarmante është gjithashtu informata se 80 % e kompanive që nuk e lajmërojnë korrupsionin, arsyetohen se kanë frikë nga pasojat apo se nuk besojnë se do të arrijnë diçka me këtë aktivitet.

Raporti është përpiluar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) në bashkëpunim me Qendrën për Studimin e Demokracisë nga Bullgaria. Raporti është mbështetur financiarisht nga USAID, Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e SHBA-ve.

Lajme të ngjashme

Back to top button