Jankullovska: Përfaqësimi i drejtë në polici do të respektohet

Mbi 3200 kandidatë nga të gjitha bashkësitë etnike kanë paraqitur interes për konkursin e ri për policë, në të cilin pritet të përzgjidhen 400 persona. Përzgjedhja e filluar nga sot, do të kalojë në disa faza. Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska theksoi se është herët të flitet për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në këtë konkurs por shtoi se kjo çështje nuk do të jetë problem.

“Ka të paraqitur nga të gjitha bashkësitë etnike. Është herët të flitet për cilësime pasi është faza e parë e përzgjedhjes. Ka interes nga të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë në Maqedoni”, deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme. 

Sipas Jankullovskës përfaqësimi i drejtë do të respektohet por kriteret janë të njëjta për të gjithë kandidatët. 

“Deri më tani nuk kemi pasur problem me përfaqësimin etnik dhe MPB-ja ka të punësuar nga të gjitha bashkësitë etnike, e deri më tani kemi realizuar konkurse të tilla dhe ka pasur interes dhe kandidatë të mjaftueshëm nga të gjitha etnitetet, megjithatë edhe për ata vlejnë kriteret e njëjta si për të gjithë kandidatët e tjerë. Nga bashkësitë etnike ka kandidatë cilësorë që i kalojnë të gjitha fazat pa problem prandaj deri tani nuk kemi pasur problem. Pra, përbërja etnike e policisë reflekton përbërjen etnike të popullatës në komunat ku policia punon, që do të thotë se nëse këtë herë kemi konkurs për vende pune në territorin e Shkupit, shumë e natyrshme është që përbërja etnike e policisë të reflektoj përbërjen etnike të qytetarëve të Shkupit”, u shpreh Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button