Nis ndërtimi i trotuareve përgjatë rrugës Tetovë-Jazhincë
Kanë filluar punët për ndërtimin e trotuarit në rrugën rajonale Tetovë -Jazhincë gjegjësisht në fshatin Neproshten. Ky trotuar do të ketë një gjatësi prej 1.5 kilometrave dhe do t`u mundësojë banorëve të fshatit Neproshten që ta kenë më të lehtë qarkullimin dhe lëvizjen përgjatë rrugës kryesore.
Kryetari i bashkësisë lokale të fshatit Neproshten, Nazim Azizi thotë se kjo ka qenë një kërkesë e kamotshme e banorëve të fshatit Neproshten për ndërtimin e një trotuari në rrugën regjionale Tetovë Jazhincë
Kryetari i komunës së Tearcës, Isen Asani tha se ky trotuar do të financohet me mjete të komunës dhe punët do të realizohen në tri faza. Ndërtimi i trotuareve përgjatë rrugës Tetovë-Jazhincë, në territorin e komunës së Tearcës ka filluar kohë më parë në fshatin Dobrosht, kurse pritet që të përfshijë edhe më shumë fshatra.
Ndërtimi i trotuareve përgjatë rrugës kryesore, vlerësohet si një ndihmesë e madhe nga banorët e kësaj zone, për shkak të mbingarkesës që është krijuar në komunikacion.