Gjykata në Egjipt shfajëson Mubarak për vrasjet

Një Gjykatë në Egjipt ka rrëzuar të gjitha akuzat ndaj ish-presidentit Hosni Mubarak për vrasjen e 239 protestuesve, gjatë revoltës kundër tij në 2011-ën.

Vendimi i gjykatës u pasua me brohoritje në sallë menjëherë pasi drejtuesi i seancës e shpalli të mbyllur çështjen. Edhe jashtë sallës, dhjetëra mbështetës të tij e pritën me gëzim verdiktin. Mubarak, 86 vjeç, tashmë do të vuajë vetëm dënimin me tre vjet burg, për përvetësim fondesh publike.

Ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe si gjithmonë këto kohë, është paraqitur në gjyq në barrelë. Së bashku me Mubarak, të pafajshëm u shpallën edhe ministri i tij i Brendshëm, Habib al Adli dhe gjashtë zyrtarë të tjerë. Ata akuzoheshin për komplot në vrasjen e protestuesve dhe për këtë ishin dënuar përjetë në qershor të 2012-ës. Por një vit më parë, u vendos rigjykimi i çështjes.

Mbi 800 njerëz janë vrarë në janar e shkurt të 2011-ës në Egjipt, gjatë trazirave që shënuan rrëzimin e Mubarak nga pushteti, si dhe nisjen e asaj që u quajt pranvera arabe./Vizionplus

Lajme të ngjashme

Back to top button