Sa shqiptarë jetojnë në të gjithë botën?

Pavarësisht prej regjistrimeve zyrtare të popullsisë, në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha shtetet ku shqiptarët njihen si etnitet, asnjëherë nuk dihet se sa shqiptarë ka sot bota, për shkak të lëvizjes së vazhdueshme të tyre.
Por, tanimë kjo edhe mund të bëhet, përmes faqes së internetit “Një komb”.

“Një komb.com” është një bazë të dhënash, e ideuar nga Besfort Axhanela, me qëllim që të krijojë mundësinë që të regjistrohen të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Tashmë në këtë bazë të dhënash janë regjistruar afër 600 mijë shqiptarë.

Axhanela ka treguar për “Top Channel” idenë dhe objektivin e projektit.

“Ideja për ta filluar këtë projekt ka ardhur si rezultat i faktit që jam i sigurt se mbi 95 për qind e shqiptarëve e kanë pasur në mendje që sa herë kanë shkuar diku jashtë kanë pyetur veten së paku njëherë: sa shqiptarë janë këtu? Domethënë, krejt kjo ka ardhur si nismë e fillimit të këtij projekti. Projekti ynë njëkomb.com është projekt që synon të identifikojë të gjithë shqiptarët nëpër botë dhe ku ndodhen ata”, ka hënë ai.

Për pak muaj punë, projekti i Besfort Axhanelës ka identifikuar shqiptarë në shumicën e vendeve të botës.

“Përveç Kosovës dhe Shqipërisë që janë identifikuar, në Turqi ka shumë, janë rreth 100 mijë shqiptarët e identifikuar. Nuk i di numrat e saktë por në bazë të disa të dhënave, më pas vinë Zvicra, Gjermania, SHBA-të, Italia, Greqia… Shteti i vetëm që nuk ka asnjë shqiptar të identifikuar është Mianmari, në Azi”, rrëfen ai.

Axhanela ka planifikuar që për festën e 28 Nëntorit të mbledhë në një vend edhe atmosferën festive në familjet e ambientet e shqiptarëve kudo ku jetojnë.

“Më 28 nëntor pritet të lansohet një “news feed” në faqe ku njerëzit do të kenë mundësi të hyjnë dhe të postojnë fotografi për mënyrën se si janë duke e festuar 28 Nëntorin”, ka thënë ai.

Mënyra e regjistrimit në bazën e të dhënave “njekomb.com” është shumë e thjeshtë. Regjistrimi mund bëhet përmes e-mailit apo përmes llogarisë së Facebook-ut.

Realizuesi i këtij projekti synon që në të ardhmen të mundësojë edhe sogurimin e të dhënave për profesionet, punët dhe të dhënat tjera për shqiptarët. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button