Mustafi: Kundër jetës luksoze me vetura të shtrenjta

Mbrojtësi i Valencias, Shkodran Mustafi ka treguar se ai vazhdon të jetë i njëjti, edhe pse është zhvilluar shumë në karrierën e tij.
Reprezentuesi i Gjermanisë – fitues i Kampionatit botëror në Brazil – ka thënë se është kundër jetës luksoze me vetura të shtrenjta dhe shpenzimeve të mëdha.

“Në kohën e sotme duket normale të posedoni një makinë me vlerë prej 200 mijë euro ose të dilni për darkë me shoqëri ose familje dhe të shpenzoni 400 euro. Por, kjo nuk është mënyra e duhur për të jetuar: nuk duhet harruar se ke pasur vetëm 400 euro në muaj në dispozicion disa vjet më parë”, deklaroi Mustafi për “Gianlucadimarzio.com”.

“Mënyra e drejtë për të jetuar është e atyre që zgjohen herët në 6 të mëngjesit për të shkuar në punë, dhe që përfitojnë 1800-2000 euro në muaj, duke punuar shumë, për të blerë një shtëpi, të kenë diçka në dispozicion në fund të muajit. Jeta ime sot është ëndërr e shumëkujt”, u shpreh ai.

Në fund, Mustafi bëri një krahasim mes La Ligës ku luan tani dhe Serie A ku u aktivizua te Sampdoria.
“Në Spanjë loja është më e shpejtë dhe duhet të mendoni në tri pasime, kur, ku dhe kujt t’ia jepni topin. Kurse, në Itali loja është më taktike dhe e humb shpejtësinë”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button