Idetë e MASH-it, qesharake për prindërit, vikendet janë ditë pushimi

Prindërit kundërshtojnë idenë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) lidhur me takimin e mësimdhënësve dhe prindërve gjatë vikendeve. Idet e hedhura nga MASH-i, për një afërsi të prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve, sipas prindërve, janë gati të parealizueshme dhe në disa raste ata shtrohen edhe si ide qesharake.

Ata thonë se vikendet janë pushim dhe asnjëra palë nuk ka kohë për takime.

Kryetari i këshillit të prindërve pranë shkollës fillore “Liria” në Shkup, Ylber Latifi për Portalb thotë se ideja për takimin e mësimdhënësve me prindërit është e mirëseardhur mirëpo, vikendi nuk është koha e përshtatshme për për këtë gjë.

“Është ide shumë e mirë që prindërit të takohen me mësimdhënësit më shpesh, mirëpo jo gjatë vikendeve. Që të dy palët këto dy ditë i kanë për të pushuar, dhe askush nuk është në gjendje për një aktivitet të tillë. Në ditët e punës po të caktohej një orar i pranueshëm, mund të realizohet. Sepse sa më shpesh të takohen të dy palët aq më të informuar do jenë prindërit për ecurinë në mësim të fëmijëve të tyre”, tha për Portalb, Latifi.

Nga ana tjetër profesoresha e Institutit për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike Mirjana Najçevska, thotë që aq shumë ligje dhe standarde ndërkombëtare janë thyer sa që më është lodhur nga kjo situatë.

“Kjo më nuk është as qesharake. Në të vërtetë nuk kam më forcë të sqaroj se sa ligje dhe standarde ndërkombëtare janë thyer. Kjo ide aq është jo e menduar mirë sa që më duhet ta pranoj se edhe unë ngelem pa tekst. Unë personalisht nga sot kundërshtoj çdo akt të personave të pa aftë që për ndonjë arsye historike ndodhen në funksionet udhëheqëse të shtetit tim”, tha për Portalb, Najcevska.

Ndërkaq në lajmërimin që Ministri i Arsimit Abdilaqim Ademi e shpërndau në shkollat fillore dhe të mesme, është një listë me aktivitetet që secila shkollë duhet t’i planifikojë dhe ti fut në programin e këtij viti shkollor. Në këtë lajmërim thuhet se patronati i shkollës do të duhet të përgatitet nga një grup prindërish, mësimdhënës dhe nxënës dhe në të, të marrin pjesë edhe prindërit.

“Në ngjarje duhet të marrin pjesë edhe prindërit përveç mësimdhënësve dhe nxënësve. Për shembull në duet muzikor të bëjnë pjesë mësimdhënës – nxënës, prind-nxënës, si dhe mësimdhënësit të marrin pjesë në pikën përfundimtare”, thuhet në lajmërimin e MASH-it.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button