Afganistani aprovon qëndrimin e forcave të huaja
Parlamenti i Afganistanit i ka miratuar marrëveshjet bilaterale të sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, me të cilat mundësohet mbetja e trupave ndërkombëtare në këtë vend, edhe pas vitit 2014
Dhoma e ulët e Parlamentit të Afganistanit ka miratuar me shumicë dërrmuese dy marrëveshje të reja të sigurisë, që i lejojnë trupat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) të qëndrojnë në vend përtej fundit të këtij viti.
Marrëveshjet ofrojnë ndihmë ligjore për trupat që shërbejnë në misionin e ri të NATO-s, i cili do të nisë pas përfundimit zyrtar të operacioneve luftarake, më 31 dhjetor të këtij viti. Marrëveshjet duhet ende të ratifikohen nga dhoma e lartë e Parlamentit afgan.
Megjithatë, miratimi i së dielës ka ardhur vetëm një ditë pasi zyrtarët amerikanë thanë se trupat e tyre do të kenë mundësi sërish të shënjestrojnë talebanët përgjatë vitit 2015.
Dhoma e ulët e Parlamentit afgan aprovoi Marrëveshjen Bilaterale të Sigurisë (BSA) dhe Marrëveshjen për Statusin e Forcave (SOFA) me 152 vota pro dhe 5 kundër.
Presidenti afgan, Ashraf Ghani, kishte firmosur marrëveshjet me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n në muajin shtator, menjëherë sapo u zgjodh në krye të vendit, edhe pse ish-presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, e kishte refuzuar një gjë të tillë.
Miratimi parlamentar i marrëveshjeve është një hap i rëndësishëm përpara, pasi NATO-ja ka nisur tërheqjen e shumicës së trupave nga 50 mijë që kishte në fillim të vitit 2014, shumica e të cilëve janë amerikanë.
Numri i përgjithshëm i trupave në misionin e ri të udhëhequr nga NATO-ja do të jetë 12 mijë dhe do të kenë mision trajnues, këshillues dhe asistues ndaj forcave afgane të sigurisë./ Tribuna