Përkeqësohet gjendja shëndetësore e njërit nga të burgosurit për rastin “Monstra”

Në burgun e Manastirit në të cilin vuajnë dënimin Fejzi Aziri dhe Agim Ismailoviq, të akuzuar për rastin “Monstra, Portalb mëson se ende nuk është lëshuar ngrohja, edhe përkundër motit të ftohtë.

Familjari i Azirit, Bedri Ajdari bën të ditur se gjatë vizitës së tij në Manastir, ka kuptuar nga vëllai i tij që tërë kohën rrinë nën batanije sepse ende nuk është lëshuar ngrohja, si dhe gjendja shëndetësore e Ismailoviqit është përkeqësuar.

“Kushtet janë të tmerrshme në burgun e Manastirit, ende nuk është lëshuar ngrohja dhe vëllai më tha që tërë kohën rrinë nën batanije, kjo nuk është normale. Gjithashtu më tregoi se Agimi kishte probleme me shtypjen e gjakut, të cilën e kishte shumë lartë dhe menjëherë u dërgua në ambulancë”, tha Ajdari për Portalb.

Ai shtoi se tani më është bërë kërkesë për transferimin e të akuzuarve që të vinë në Shkup, mirëpo ende nuk ka përgjigje.

Që tre herë kemi problem me futjen e ushqimit në burg, nuk na lejohet më shumë se 5 kilogram, në Prilep nuk është kështu, atje te nipi, Haki Aziri dërgoj nga dhjetë kilogram ushqim. Për shkak të gjendjes së mjerueshme te burgut dhe kushteve nën nivel ne kemi kërkuar që të transferohen në Shkup, ashtu edhe do i kemi më afër”, tha Ajdari.

Dikush do të mbajë përgjegjësi nëse iu ndodh diçka familjarëve tanë, shton më tej Ajdari.

Avokati mbrojtës Naser Raufi bën të ditur se kërkesa për transfer është derguar në gjykatë dhe se deri të hënën presin përgjigje.

“Kërkesën për transferim e kemi dorëzuar në gjykatë para dhjetë ditëve. Nëse deri të hënën nuk marrim përgjigje, në do të drejtohemi në Ministrinë e Drejtësisë, ku do të kërkojmë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejtë”, tha për Portalb, Raufi.

Sa i përket fillimit të seancës për ankesën ndaj aktvendimit për rastin “Monstra”, Raufi tha se pritet që të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm, domethënë në janar.

Ndërkaq kohë më parë për Portalb, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti u shpreh se së shpejti do të kryej vizitë në këtë burg ku do të njoftohet nga afër me problemet dhe kushtet e përgjithshme të tij. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button