Ditari elektronik në “Arseni Jovkov” tregon për mbingarkesën e klasave shqipe

Nga të dhënat e marra nga ditari elektronik në shkollën e mesme ekonomike “Arseni Jovkov” tregojnë për mbingarkesën e nxënësve shqiptarë në auditorët shkollore.

Sipas këtyre të dhëna klasa e treta 16 numëron gjithsej 42 nxënës, e katërta 13  ka 42 nxënës, në klasën e katërta 15 gjithsej mësimin e ndjekin 40 nxënës shqiptar dhe e katërta 16 numëron 41 nxënës. ALSAT-M ka siguruar edhe ditarin e vitit të parë të paraleleve maqedonase, përkatësisht të parës 6 në të cilën shihet qartë numri i vogël i nxënësve, që nuk kalojnë numrin 20 e që është në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Mesëm që thotë se një paralele në shkollat publike nuk guxon të ketë më pak se 24 nxënës, transmeton Alsat.

Për të qenë ironia edhe më e madhe, në këtë paralele maqedonase që të gjithë 20 nxënësit janë shqiptarë ashtu siç janë edhe në tri paralelet tjera që të gjitha me shqiptarë vetëm në vitin e parë. Me këtë bien poshtë pretendimet e kryetarit të qytetit të Shkupit Koce Trajanovski i cili dje tha se nuk e ka të qartë prej nga ALSAT M i ka nxjerrë këto numra duke pretenduar se ligji respektohet dhe në të gjitha 21 shkollat e mesme nuk ka paralele me mbi 34 nxënës ose me më pak se 24.

“Qe të gjitha 21 shkollat e mesme në Shkup d.m.th nga arsye të ndryshe, në paralele të caktuara ka numër maksimal të nxënësve dhe ai numër është 34 d.m.th nuk ka 42 por 34 dhe unë nuk e di nga e keni nxjerrë këtë numër. Numri 34 është i lejuari me ligj. Kemi paralele që kanë numër më të vogël nxënësish. Në “Arseni Jovkov” nuk është tejkaluar maksimumi dhe kushtet për mësim nuk janë të këqija”, u shpreh  Koce Trajanovski, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Ndërkohë Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi thotë se nga viti i ardhshëm shkollor, në të gjitha shkollat e mesme të vendit do të hapen paralele në bazë të numrit të nxënësve qofshin ato në gjuhën maqedonase apo shqipe duke mos ofruar zgjidhje konkrete për situatën aktuale.

“Ne po përgatitemi për konkursin e vitit të ardhshëm”, u përgjigj Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Lajme të ngjashme

Back to top button