Berisha para largimit harxhon miliona për vilën në Dhërmi

Vetëm dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme kryeministri në largim, Sali Berisha ka vendosur të shpenzonte të tjera para të qytetarëve për të rikonstruktuar vilën qeveritare në Dhërmi, ku preferon që të kalojë pushimet e tij të verës dhe të thyejë rekordet e vazhdueshme të notit, shkruan Shekulli.

Edhe pse fushata nuk e ka lejuar që të kalojë të gjithë periudhën e sezonit turistik pranë detit në Dhërmi, për kryeministrin Berisha duket se ia ka vlejtur vendimi për të shpenzuar të tjera para për rregullimin e kësaj vile, pasi është nusja dhe fëmijët e djalit të tij që po kalojnë pushimet. Një fakt i tillë pranohet dhe nga vetë Sadije Berisha, nusja e Shkëlqen Berishës. E pyetur nga një dashamirëse në profilin saj në Facebook, Sadija e ka sqaruar përmes postimit se ndodhet për pushime në vilën e pritjes në Dhërmi. E mahnitur nga bukuritë që të ofron riviera jonë në jug të vendit, nusja e djalit të Berishës nuk ka hezituar që të publikojë edhe fotot e vilës qeveritare dhe të djalit të saj, i cili sapo ka përfunduar një xhiro me motorr uji.

Rikonstruksioni i vilës
Drejtoria e Shërbimeve qeveritare në datë 18 korrik është detyruar që të shlyejë një faturë të prapambetur për rikonstruksionin e vilës qeveritare në Dhërmi të Vlorës, aty ku zakonisht pushon gjatë verës kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij. Këtë muaj , kjo drejtori ka marrë nga dega e Thesarit shumën 791 634 lekë për t’ia paguar një biznesi privat që është marrë me rikonstruksionin e vilës në Dhërmi .

Punimet janë kryer gjatë muajit prill deri në fillim të majit për ta përgatitur atë për pritjen e kryeministrit Berisha dhe të drejtuesve të lartë të shtetit për pushimet verore. Shpenzimet e qeverisë Berisha për këtë vilë nuk kanë fund. Në vitin 2008, qeveria do të merrte një vendim për lejimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare të përfundojë, brenda datës 10 dhjetor 2008, për procedurat e prokurimit për rikonstruksionin e vilave qeveritare dhe blerje makinerie, me fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit.

Fondi për studim-projektimin, rikonstruksionin e vilës në Dhërmi, arrinte fondin lim it 1.416.666 lekë. Në maj të 2009-s, zyrtarisht fituesin. përmes një tjetër vendimi, kryeministri Berisha do të vendoste një shtesë fondi për Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2009. Në fondin prej 129 036 784 lekë, qeveria do të urdhëronte përfundimin e disa investimeve të nisura, për rikonstruksionin e disa vilave qeveritare, përkatësisht në Dhërmi, Durrës, Vlorë dhe Pogradec.

Berisha thyen edhe rekordin e fundit të notit
Për herë të fundit si kryeministër, Sali Berisha nuk mund të mungonte as këtë vit me rekordin e tij të notit. Lajmi bëhet i ditur nga vetë ai përmes faqes së Facebook, ku nuk ka ngurruar të postojë edhe foto gjatë notit, teksa shprehet se është gati për beteja të reja.

“Sot në Dhërmi bëra një check up në natyrë! Një rekord i ri u arrit. 145 minuta not të të gjitha stileve. Gati për beteja të reja, të fuqishme që na presin”, komenton Berisha.

“Ai vendosi një rekord të ri personal, duke notuar pandërprerë dhe duke përshkuar disa herë distancën deri tek Bovat, në plot 145 minuta. Pushimet në Dhërmi gjatë muajit gusht, për Kryeministrin Berisha, janë kthyer në një ritual pothuajse të përvitshëm”, theksohet më tej.

Lajme të ngjashme

Back to top button