Gjithçka thahet në Tetovë (FOTO)

Dita ditës hapësirat e gjelbra në Tetovë gllabërohen pamëshirshëm nga ndërtesat kryelarta, nga shtigjet e rrugëve të reja si dhe nga ndërtimet leje e pa leje. Banorëve të një qyteti urban si Tetova u nevojitet gjelbërimi për ti shpëtuar ata nga smogu i cili padiktueshëm ngulfat mushkëritë e tyre por për fat të keq kohëve të fundit vërehet një tendencë e kundërt ku zaptohen sa më shumë hapësirat jeshile.

Zemri Memeti nga Njësia rajonale e NPK “Parqet dhe gjelbërimet” për Portalb.mk thotë se nuk ka një evidencë të saktë për hapësirat e gjelbra në Tetovë duke theksuar se ata janë të pamjaftueshme në përpjesëtim me numrin e banorëve që jetojnë në këtë qytet.


“Kemi dhe parqe të atilla që i kanë zaptuar vetë qytetarët ndërsa ne jemi përgjegjës për ata hapësira që i shikoni në qendër apo dhe disa nga periferia e Tetovës. Nuk janë shumë por nuk kam ndonjë evidencë të saktë aktualisht. Problemi qëndron në atë se dita ditës vetë qytetarët i shkatërrojnë këto hapësira” thotë Memeti.

“Nuk kam ku të dal me dy djemtë e mi sepse thjeshtë nuk ka ku të shkohet, s’kemi një park të mirëfilltë” thotë për Portalb, Hatije A, një 33 vjeçare, profesoreshë nga Tetova.


“Ja si që e shihni këtu në qendër sillemi, me këto vetura që lëvizin në asfaltin e nxehtë, nëse shkoj i vetmi park te lumi te Xhamia e Pashës nuk do të di ka të endem sepse as ka dritë të mjaftueshme për vajzën time” thotë Xhane K, afariste.

Më tej, vazhdon Memeti: ”Kryetarja  e Komunës, Teuta Arifi, mbolli ca lule në disa lokacione të qytetit në aksionin e saj simbolik për të ndërmarrë diçka për ta përmirësuar gjendjen, por si që shihni ata u thanë nga i nxehti. Këto lule u mbollën në kohë të papërshtatshme dhe temperaturat e larta i thanë ato”.


Edhe ish kryetari Bexheti mbolli drunj në Bulevardin e Ilinderit, por sot, më shumë se 80 % e tyre janë tharë.

“Është gabim i madh në përzgjedhje, drunjtë nuk kanë mundur të ambientohen sepse janë sjellë nga Holanda dhe nuk kanë mundur të përshtaten në këtë klimë” thekson Memeti.


Përderisa në këtë qytet nuk bëhet një revizion i planit urbanistik duke u planifikuar njëkohësisht hapësira të gjelbra, aksionet e tilla të mbjelljes së jeshillëkut do ti krahasojmë me thënien “Nxirren sytë duke tentuar të vendosen vetullat” . /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button