Stacioni filtrues në Gostivar përfundon brenda tri javësh

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta priti në takim ministrin e ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Nurhan Izairi me të cilin biseduan për projekte konkrete të cilët do të realizohen në të ardhmen e afërt, por edhe për projekte të përbashkëta që mund të realizohen gjatë vitit të ardhshëm. Në takim mori pjesë edhe Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.

“Ramë dakord që ne si komunë, me projektet të cilat i kemi përgatitur në interes të shoqërisë së qytetit të Gostivarit, të konkurrojmë te Ministria e ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor dhe kjo ministri të parasheh mjete për financimin ose bashkëfinancimin e projekteve me Komunën e Gostivarit. Për këtë vit Ministria e ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor mori për sipër që të vazhdojmë me ndërtimin e kanalizimit në fshatin Çegran dhe do të ndajë mjete me vlerë prej 3 milion denarësh”, deklaroi kryetari Bejta.

Ai nënvizoi se bashkëpunimi me ministrin do të vazhdojë, shkaku se qyteti i Gostivarit ka probleme me kanalizimet për ujëra të zeza dhe se problemin e njëjtë e kanë edhe vendbanimet rurale Banjicë e Poshtme dhe e Epërme, Zdunjë, Debresh, Balindoll dhe një pjesë e fshatit Çajlë. “Besoj se ministri do të ndajë mjete nga buxheti i ministrisë në vitin 2015  për kanalizimin për ujëra të zeza në Fazaneri, Grudajcë dhe Banjeshnicë sepse atje problemi është edhe më i madh. Ministri më njoftoi se në të ardhmen është paraparë që në Gostivar si një prej qyteteve më të mëdha të ndërtohet edhe stacioni filtrues për pastrimin e ujërave të zeza”, potencoi kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

Nga ana tjetër, ministri Nurhan Izairi bëri me dije se stacioni i filtrimit për ujë të pijshëm, do të jetë gati brenda tri javësh, ndërsa në përdorim do të lëshohet pas testimit të paraparë me ligj.

“Në vizitën e parë zyrtare në Komunën e Gostivarit, patëm një takim produktiv ku me kryetarin e komunës i shqyrtuam mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet ministrisë të cilën unë e drejtoj dhe Komunës së Gostivarit. Gjithashtu biseduam edhe për projektet që janë të financuara nga ana e Qeverisë gjegjësisht nga ministria të cilën unë e drejtoj. Këtu bëhet fjalë për stacionin e filtrimit të ujit të pijshëm i cili është në fazën përfundimtare dhe ky projekt do përfundoje brenda tre javëve dhe më pas do filloje me fazën e testimit, që do të thotë se erdhëm në fazën e përfundimit dhe pas fazës së testimit i cili është i paraparë me ligj sa duhet të zgjatë do filloje përdorimi i tij”, theksoi ministri Izairi.

Lajme të ngjashme

Back to top button