Subjekti i tretë politik shqiptar-rrezik apo nevojë reale?

Deklarata e paradokohshme e Ali Ahmetit që për shqiptarët e Maqedonisë do të ishte i dëmshëm ekzistimi i një subjekti të tretë politik dhe se vetëm dy subjekte politike janë më se të mjaftueshme, paraqet paradoks të llojit të vet. Ai siç duket mendon që shqiptarët kanë defekte me memorien e tyre politike apo ndoshta vetëm po shtiret sikur harron që pikërisht ardhja e tij në skenën politike (2002) ishte në kuadër të një subjekti TË TRETË shqiptar (BDI).

Qëllimet dhe synimet e Lëvizjes Besa nuk kanë të bëjnë me llogaritjet e numrit eventual të subjekteve politike shqiptare, apo me dëshirat e veçse të involvuarëve në veprimtarinë politike,  por këto qëllime vijnë si pasojë e vlerësimit real të gjendjes së përgjithshme politiko shoqërore si dhe e vet punës dhe  përgjegjësive të udhëheqësve aktual politik të marra nga populli. Poashtu këto qëllime dhe synime pasojnë edhe vlerësimin e mirëqenies së vet votuesve shqiptarë pritjet e të cilëve nga subjektet politike shqiptare janë tejet zhgënjyese. Mjafton që qytetarëve shqiptar t’u kushtosh disa minuta vëmendje dhe gjithsesi do ta kuptosh edhe hallin e tyre dhe mendimin mbi subjektet aktuale politike.

Që nga nisma për formimin e kësaj lëvizje vjen edhe zotimi që me vlera të pastërta intelektuale dhe morale do të vjen angazhimi  për përmirësimin e gjendjes së rëndë të shqiptarëve në vend. Ky zotim buron nga qëllimi fisnik për kthimin e dinjitetit kombëtar shqiptar, ngase ky diskriminim dhe nënçmim që u bëhet shqiptareve viteve të fundit është i pa tolerueshëm dhe i pa justifikueshëm.

Prandaj kjo Lëvizje politike lindi si rrjedhojë dhe përgjigje ndaj pakënaqësive mbi gjendjen e stërngarkuar politike, ekonomike dhe sociale të shqiptarëve në Maqedoni.

Vallë deri kur shqiptarëve do tu boshatiset shporta e nevojave mujore të tyre?

Vallë deri kur shqiptarët do të paguajnë investimet në vendbanimet jo shqiptare?

Vallë deri kur si pasojë e rritjes së shkallës së papunësisë në vend, shqiptarët gjithnjë e më shumë do ta braktisin vendlindjen e tyre?

Vallë deri kur vetëm qytetet shqiptare do të thithin ajër të ndotur dhe kancerogjen?

Gjithë kësaj duhet thënë mjaft. Mjaft se edhe durimit i erdhi fundi. Tash ka ardhur koha për nismën e re, koha për ndryshime shoqërore dhe politike, koha për rikthimin e traditës më të vjetër kombëtare shqiptare, koha për besën shqiptare, koha për Lëvizjen “Besa”.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button