Ukrainë, mbahen zgjedhjet e separatistëve

Në dy rajonet e vetëshpallura “Republika Popullore” të Donjeckut dhe Luhanskut, në Lindje të Ukrainës, janë duke u zhvilluar zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare njëkohësisht.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë deklaruar se nuk do t’i njohin këto zgjedhje, ndërsa Rusia ka dhënë mbështetjen e saj për to.

Të paktën 7 ushtarë ukrainas janë vrarë që prej së premtes, për shkak të përplasjeve të intensifikuara së fundi në rajon. Donjecku dhe Luhansku ranë në kontrollin e separatistëve, pas muajsh të tërë luftimesh në Ukrainën lindore, që përfunduan me një marrëveshje paqeje në Minsk, më 5 Shtator, e cila gjatë gjithë kohës ka qenë e brishtë.

Liderët e rebelëve kanë thënë se, si shtete të pavarura, ata nuk janë të detyruar të respektojnë ligjet ukrainase, ndaj dhe nuk morën pjesë në zgjedhjet kombëtare të Ukrainës javën e kaluar.

Sipas tyre, 3 milionë fletëvotimi janë bërë gati për këto zgjedhje, të cilat do të përcaktojnë presidentët dhe deputetët e zgjedhur drejtpërdrejt nga populli.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme, sepse do t’i japin legjitimitet pushtetit tonë dhe do të na ofrojnë më shumë distancim nga Kievi”, tha Roman Lyagin, shefi i Komisionit Zgjedhor në rajonin e Donjeckut, duke u shprehur për agjencinë e lajmeve AFP. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button