Iran, Ruhani merr zyrtarisht detyrën

Hasan Ruhani është zyrtarisht presidenti i Iranit, duke zëvendësuar në këtë post Mahmud Ahmadinejad. Ai mori edhe mbështetjen e udhëheqësit suprem Ajatollah Ali Khamenei, gjatë një ceremonie në Teheran.

Kleriku që fitoi zgjedhjet në muajin qershor premtoi reforma dhe fundin e izolimit të vendit. Megjithëse detyra e tij nisi zyrtarisht dje, ceremonia do të zhvillohet sot. 

64-vjeçari ishte një prej negociatorëve të programit bërthamor dhe një aktivist islamik përpara Revolucionit të vitit 1979. 

Ruhani ka mbështetjen e Lëvizjes Reformatore Iraniane, e cila i kërkon presidentit të ri të bëjë ndryshime: të liroje të burgosurit politikë dhe të heqë sanksionet ndërkombëtare, të cilat kanë dëmtuar ekonominë e vendit. 

Kur flitet për presidentin iranian nuk është ai njeriu që merr vendime – thonë analistët. Në Republikën Islamike, këtë rol e luan Udhëheqësi Suprem, i cili thotë gjithmonë fjalën e fundit. 

Një ditë përpara se të merrte detyrën, Ruhani, në Ditën e Jeruzalemit, tha se: “pushtimi i territoreve palestineze nga Izraeli është një plagë e vjetër në trupin e botës islamike”. 

Deklarata, që të kujtonte qëndrimin e paraardhësit, u hodh poshtë nga media shtetërore iraniane, sipas të cilës “disa agjenci lajmesh kishin keqinterpretuar fjalët e tij”. 

Televizionet IRIB dhe PRESS TV transmetuan më pas pjesë nga deklartata e Ruhanit. “Në rajonin tonë ka patur për vite një plagë në trupin e botës myslimane, nën hijen e pushtimit të Tokës së Shenjtë, Palestinës dhe shumë të dashurit Al Kuds, apo Jeruzalemit”, kish thënë ai. 

Irani ka mohuar ekzistencën e shtetit të Izraelit prej revolucionit të vititi 1979. Në intervistën e tij të fundit, ditën e premte, përpara se të linte postin, Mahmud Ahmadinejad sulmoi sërish Izraelin, duke paralajmëruar “përgatitjen e një stuhije që do të shkulë nga rrënjët zionismin”. 

Shumë iranianë besojnë se Ahmadinejad, i zgjedhur dy herë, e vuri Iranin në rrugën e shkatërrimit ekonomik dhe e përplasi me botën. /Top Channel/

Lajme të ngjashme

Back to top button