Aliu: Musa Xhaferri reketon administratoret shqiptare (VIDEO)

Koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së Imer Aliu, akuzoi zëvendës kryeministrin Musa Xhaferi, se i reketon shqiptarët gjatë punësimit. Gjatë seancës pyetje deputetësh, deputeti Imer Aliu tha se tarifa që kërkohen për punësimin e shqiptarëve shkon deri në 5 mijë euro.

“Musa Xhaferi nuk është këtu si zakonisht, atij nuk i bëhet vonë për shqiptarët, që rrihen, vriten dhe nuk ka asnjë investim për ta. Musa e bën punën e tij dhe puna e tij është reketimi i shqiptarëve. Reketimi i atyre pak që punësohen në administratën shtetërore. Dihet botërisht që tarifa për ta është 3-5mijë euro varësisht prej vendit të punës. Ai nuk jep llogari për atë se sa shqiptarë janë punësuar prej vitit 2013 deri sot në 2014. Vetëm një konkurs është hap për 140 të punësuar dhe ende nuk kemi informata se sa prej tyre janë shqiptarë. Por informatat flasin se një numër i vogël janë shqiptarë, pjesa tjetër janë të përkatësive tjera etnike” tha ai.

“Problemet reale të shqiptarëve anashkalohen dhe nuk flitet fare për to. Është viti i 11 që BDI drejton Ministrinë e Ekonomisë dhe fatkeqësi është se do të shohim se ata nuk kanë hap asnjë vend pune për shqiptarët, pasi nuk u orientuar asnjë investim i huaj tek shqiptarët.  Dëmtimi i bizneseve shqiptare është prioritar dhe orientimi i të gjithë investimeve në zonat e maqedonasve është prioritet. Marrëveshjet me Serbinë janë bërë përditshmëri e kësaj qeverie në të gjitha sferat e jetës dhe ka mbet veç të shpallet bashkimi i dy shteteve dhe të legalizohen edhe ato marrëveshje që lidhjen mes Maqedonisë dhe Serbisë.”

Deputeti i PDSH-së tha se funksionarët e BDI-së nuk janë të interesuar per të avancuar pozitën e shqiptarëve. Ai akuzoi edhe ministrin e Arsimit Abdilaqim Ademi, se është bërë milioner në kurriz të shqiptarëve.

Akuzave të këtilla nuk i është përgjigjur askush nga ministrat apo deputet e BDI.

Lajme të ngjashme

Back to top button