A jemi njerëz?

Ezopi që në kohën antike pat thënë se – lirinë asesi nuk duhet shitur. Por ja që edhe pas shumë shekujsh diku liria akoma shitet e blehet sikur në tregun e mallërave të prishur. Kjo pasi qartë shifet se jemi një gjeneratë skajshmërisht inerte e impotente, e që sikur jemi pajtuar me një absurd të kohës. E ajo është ndjenja thellë e mbjellë mbi rininë tonë, se duhet të jetojmë vetëm për ate se ja që rastësisht jemi duke marrë frymë. Se jeta jonë nuk është problem shoqërorë, por vetëm biologjik. Pra, duhet të mbetemi të gjallë vetëm për ate se rastësisht jemi të gjallë. Kemi nevojë për aq sa sa të mbajtë shpirtin në jetë, sepse nuk dijmë se çka është jeta normale, që jetohet në botën normale. E qartë është se dikush na e ka ble shpirtin, jetën dhe dinjitetin ndoshta për një senduiçe, apo kartele telefoni ose ndonjë pije gjatë fushatës. Ne si kundërshpërblim ua kemi ,,shitë,, votën, duke shitur edhe perspektivën dhe lirinë. Madje edhe ata që kanë ,,fatin,, të marrin nga 300 euro në muaj nuk e kanë shumë më lehtë. Gjithë kohës kanë ndjenjën se ndokujt i kanë borxh të përjetshëm. Kjo i detyron që të shndërrohen në servilë e shërbetor të përjetshëm të atij pushtetari partiak ,,zemërgjërë,,. Sikur paratë që i marrin nuk janë të interesit të përbashkët të mbledhur nga ne, por se janë para personale të tij. Prandaj në çdo moment ai duhet t’i jetë falenderues.

Vështirë kuptojmë se ai vetëm që na ka berë me paratë tona, që ne i kemi ndarë që të na sigurohet një jetë më e mirë, më e bagatshme, e më e organizuar. Duket se mu për këte mosdije kemi nevojë serioze për hulumtime shkencore. Analiza për ate që nuk dijmë se çka është jeta. Se çka është liria. Se çka është dinjiteti e vetëdia. Nuk dimë se çka është shteti dhe roli i tij. Nuk e kuptojmë se shteti duhet të jetë servis i yni që të na siguroj punësime, mirëqenie sociale, jetesë normale, madje edhe të begatshme me fryte të kulturës, pushimit e rekreimit. Vështirë kuptojmë se tani ky pushtet na trajton në nivelin e një kafshe, të cilës nuk i duhet gjë tjetër pos një ushqimi të rastit vetëm për të mbet gjallë. Që të mos ngordhë. Madje shpesh edhe këte nivel përkujdesi shumkush nga ne nuk e ka.

Shumë nga këto çështje lypin përgjigje mu nga ne. Kemi obligim që t’i japim përgjigje së paku vetes, pasi nga këso pushtetarë as që duhet pritur ndonjë sqarim racional apo të logjikshëm. Logjika e tyre është – ..çdo gjë për ne, e asgjë për ju,,. Kurse për ne mund të ketë diçka vetëm për nga eventualiteti. Nëse shumçka sakrifikojmë që mirëqenia e pushtetarëve të mos cënohet. atëherë mund të na hudhin ndonjë kockë.
Sa kohë duhet të kuptojmë se liria, barazia dhe dinjiteti janë thelbi i trupit, shpirtit dhe mendjes sonë? Aty ku s’ka liri e barazi, mendja dhe shpirti thahen njësoj si bima pa ujë. Është kjo një ndër thëniet më të çmuara të Sami Frasherit të madhë. Por, sikur për ne kjo nuk vlenë aspak. Na është grabitur gjithçka kurse ne heshtim! Nuk bëjmë asnjë zë të vockël dhe vazhdojmë të zavritemi nëpër labirinthe, të frikuar se po ta themi edhe të vetmen fjalë kundër patronëve, do të na gjejë ndonjë dënim shumë më i madhë. Ndonjë e keqe edhe më e madhe. Kurse, asesi koshient se e keqja që kemi në vazhdimsi rritet.

Më habiti një koleg i imi, i cili një ditë gjersa bisedonim në këtë temë tha – qëndrueshmëria dhe rezistenca jonë janë aq të fuqishme sa që me vite të tëra ne nuk do të dorzohemi? Thash. i munduri që me kohë është dorëzuar, por varet sa e kupton. Aty ku nuk ka luftë, dorëzimi bëhet që në fillim. Para syve tanë kalojnë periudha të tëra, gjatë të cilave nuk bëjmë kurfar progresi. Vite me radhë ballafaqohemi me mjerime e antivlera. Gjendja vazhdimisht na keqësohet, e ne nuk dorëzoheshkemi!

Të gjithë kemi lindur të lirë, por lirinë duhet mbrojur. Përndryshe, gjithçka do të mbetet e burgosur brenda në ne. Përderisa nuk funksionojm lirshëm, nuk jemi vetvetja. Madje, as që jemi njerëz. Por, kafshë të rastit.

Lajme të ngjashme

Back to top button