FSHF: Presim arsyetimin e Disiplinës për strategjinë në Apel

Federata Shqiptare e Futbollit është ende në pritje të argumentimit të vendimit të Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, në bazë të së cilit Shqipëria e humbet ndeshjen me Serbinë në tavolinë si dhe gjobitet me 100 mijë euro, për të marrë më pas hapat e nevojshëm për plotësimin e dosjes që do t’i paraqitet Komisionit të Apelit.

Artan Hajdari, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF si dhe përfaqësuesi kryesor i studios ligjore që mbron interesat e qeverisë se futbollit, sqaron se vetëm pas zbardhjes së argumentimit të vendimit do të ndërtohet edhe strategjia e mbrojtjes në Apel.

“Ditën e premte me anë të studios sonë të avokatisë me qendër në Gjenevë, kemi dërguar kërkesën qoftë me Email e qoftë me faks. Presim që të vijë vendimi i arsyetuar. Mendoj që provat që kemi paraqitur janë shumë të forta, megjithatë në varësi të argumentave që do të ketë në vendimin e arsyetuar, do të hartojmë strategjinë tonë. Ne në cdo rast duam tre pikët në tavolinë”, është shprehur Hajdari.

Pavarësisht paragjykimeve që ekzistojnë për vendimin që mund të marrë Apeli, si një komision pranë UEFA-s, Hajdari sqaron se ka më shumë hapësira që në këtë institucion, Shqipëria të marrë fitoren në tavolinë.

“Komisioi i Apelit mund të them që mund të ketë ndikim, por unë nuk dua të besoj sepse janë profesionistë ata që punojnë atje. Duke qenë se është një shkallë e dytë që bën edhe dëgjimin e palëve, mendoj se ajo që quhet indipendencë të rritet dhe vendimi të jetë sa më afër të vërtetës”, përfundoi përfaqësuesi ligjor i FSHF-së. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button