Ja se çfarë biseduan Ahmeti dhe Zaev

Më shumë se dy orë ka zgjatur takimi mes liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe kryetarit të Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev, në të ishin edhe dy sekretarët gjeneral të dy partive, Adylaqim Ademi dhe Oliver Spasovski.
 
Takimi u zhvillua në selinë e BDI-së në Tetovë, ndërsa dy bashkëbiseduesit pas takimit theksuan se kanë biseduar për temat politike aktuale, transmeton Portalb.

Në takim Ahmeti, ka njoftuar Zaevin për takimet që ka pasur në Uashington, Bullgari, Shqipëri Gjermani dhe nënvizoi se pikërisht në 100 vjetorin e luftërave Ballkanike duhet që këta shtet të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Marrëdhëniet e mira ndëretnike tha ai, janë bazë për një shtet stabil.

Takimin si të frytshëm e ka vlerësuar edhe Zoran Zaev, i cili tha se Ahmetin e ka informuar për mosfunksionimin e komisionit hetimor për ngjarjet e 24 dhjetorit.

Sipas kreut të LSDM-së, raportet e mira ndëretnike duhet që të jenë bazë për zhvillimet e mëtutjeshme të vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Sipas Zaevit, qëndrimi i LSDM-së për zgjidhjen e emrit është se duhet një konsensus më i gjërë politik në vend. Ai tha se do të përkrah iniciativat që janë në interes të shtetit por jo edhe politikat nacionaliste të Nikolla Gruevskit. 

Numri një i LSDM-së Zoran Zaev, tha se pas takimit me Gruevskin dhe Ahmetin, takime do të ketë edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi dhe liderë të partive tjera në vend, transmeton Portalb.

Zaev dhe Ahmeti vlerësuan se takimet e këtilla janë praktikë e politikanëve evropian.  /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button