Baton Haxhiu reagon ndaj Ballës, “bën shpifje dhe fyerje ndaj meje”

Gazetari Baton Haxhiu ka reaguar ndaj akuzës publike të Sokol Ballës, i cili tha se Haxhiu e ka spiunuar vëllanë e Edi Ramës në Beograd.

Haxhiu e ka quajtur shpifje këtë akuzë dhe ka thënë se si Balla ka bërë shkelje profesionale me një shpifje të tillë.

Në një moment të shkrimit të tij, Haxhiu thotë se mund të vritet nga ndonjë patriot primitiv duke pasur parasysh akuzën e Ballës.

“Çfarë është dallimit yt në krahasim me kriminelët? Sepse një patriot primitiv mund të më vrasë në emër të gënjeshtrës tënde kur, në këtë lloj gazetarie postimi, shkronjat përdoren si dhëmbë e jo si vlerë komunikimi”, ka shkruar Haxhiu në një tekst autorial të botuar në lapsi.al

Poshtërsia si mënyrë jetese

Nga Baton Haxhiu

Çka mund të shkruash për një postim të Sokol Ballës para një jave në Facebook. Të tallesh me të apo ta marrësh seriozisht. E vërteta është se nuk është dashur të merrem me emrin e tij të përveçëm, sepse ajo që ka shkruar është një gjë e fëlliqtë. Por ai ka një emision që e shikojnë qindra mijëra shikues çdo javë dhe po i përgjigjem për shkak të publikut, jo emrit të tij.

Shkrimin mund ta përfundoj me një fjalë. “Idiot”. Mund ta them edhe diçka tjetër. “Turp të gënjesh”. Mund edhe mos t’i përgjigjesh një çmendjeje konspirative. Por ka një kohë që të marrët po marrin hapësirë duke postuar shkronja pa asnjë marre. Dhe po mbesin gjallë medialisht.

Po shkruaj për tri arsye.

E para ka të bëjë me faktet

Një: Si është e mundur që një njeriu me kaq jetëgjatësi në gazetari (nuk bën as provën fillestare të më pyesë së paku) i mungon fakti se ka tetë vjet që unë nuk jam në udhëheqje të gazetës Express dhe nuk i takoj njerëzit e kësaj gazete. Në postimin e tij ai ofendon stafin drejtues të gazetës me biologjinë dhe dukjen e njërit prej tyre, pastaj etiketon me stereotip primitiv. I përçmon ata se nuk dinë të udhëheqin një gazetë dhe po i udhëheq dikush tjetër. Dikush si unë që qënka mbi të gjitha ndodhitë. Sa keq për dikë që merret me shkronja dhe nuk e njeh punën e kolegëve të tij.

Dy: Për një ngjarje në Beograd, ku ishim unë dhe ai (dhe jemi takuar përballë për dy orë e gjysmë në korridorin e mbushur me policë, bashkë me 50 njerëz të tjerë), ka fytyrë të sajojë një gënjeshtër. Dhe atë ta thotë pas një jave. E mbajti thellë në zemër se ishte i lënduar nga spiunimi. Po të isha unë aq afër dhe ta kuptoja se ti vërtet po bëje diçka të tillë, po ta them troç Sokol, nuk do prisja një javë, as një ditë, as një sekondë. Nuk do e bëja fare pjesë mediale këtë. Do të ta thoja aty, në sy, aty para të gjithëve. Nuk do prisja asnjë rast si ai vallëzimi në koncert për t’i shfryrë komplekset mbi një situatë që s’është asgjë tjetër pos një vallëzim. Pse turpërohesh nga ritmi dhe këngët e Bregoviçit, pastaj ofendon në emër të saj. Çfarë njeriu qenke ti? I vogël. Unë po të isha i tillë dhe të deklaroja sajime, qoftë edhe në Facebook, nuk do të provoja kurrë të dilja dhe të shisja mend në ekran. Kurrë.

Tre: Ka të bëjë me moralin profesional dhe kolegjial. Secili profesion ka bazën e vet ekuilibruese. Gjysma është profesion dhe tjetra është moral publik. Si mund të lëndosh dhe pastaj të flesh rehat pas një gënjeshtre? A i takon në rrugë gjithë ata njerëz që ishin me ne dhe si u flet? Pra, 50% e pjesës tënde ka vdekur. Ke vdekur si njeri. Sepse aq lehtësisht gatuan shkronja të papërgjegjshme.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me profesionin

Liria e mendimit dhe e shprehjes nuk justifikon në asnjë mënyrë të drejtën e bastardimit të gjuhës apo përhapjes në formë papagalli të rrenave dhe shpifjeve. Ky sistem “informimi“ përdjallëzon kërkesën qytetare për informim dhe pse jo edhe për zbavitje.

Ky zvetënim i shijes në Shqipëri e Kosovë ka bërë që të ketë përmbysje të paparashikuara. Njerëz dhe shije kanë ndryshuar brenda natës. Një individ që nuk di të balancojë moralin profesional dhe njerëzor humb thelbin e qëllimit të profesionit që ushtron. Poshtërsia si pafuqi të spikatet në trajtën e gënjeshtrës në shkronja, pa pikë nevoje dhe logjike.

Nuk e kam pasur ndërmend që ndonjëherë të merresha me njeriun e Top Story. Nuk do të shkruaj me retorikën tënde, sepse ti nuk përmend emra por përmend “një situatë”, që një grup belaxhish simpatikë, por edhe të frustruar herë pas here me të kaluarën, vrapojnë pas klikimeve duke provuar gjithmonë të krijojnë situata konflikti në mes njerëzve, edhe të paqena, dhe e shndërrojnë një ofendim në rrëfimin e tyre me emra të përveçëm, duke ta bërë me dije që në fillim se ke bërë një luftë shkronjash pa shije.

Unë, personalisht, nuk hezitoj të përmend emra kur shkruaj për probleme. Sokol Balla për një kohë të gjatë ndërton më shumë historir me mungesë koncepti sesa shkrime që synojnë të kthjellin dhe të qartësojnë situata.

Ky është parim i papranueshëm i kritikës me shije të munguar shkrimi dhe etike. Kështu, me këtë metodë, si antiheronjtë kafkianë, bën aksion shkronjash dhe jo shkrim. Nëse i vishet një vlerë etike dhe profesionale shkrimit, Sokoli do të duhej të përdore kritere realiste dhe të ndërgjegjshme, sidomos kur zë në gojë një situatë dhe bën një etiketim. Pra, shkronjat e tua përdoren si kobure dhe jo si fjalë që ndërtojnë komunikim me lexuesin.

Brenda një kohe shumë të shkurtër, ke mundur të ndërtoje një emisionin pothuajse të përsosur brenda një shtëpie të madhe mediale, por ti arrite të shndërroheshe në personazh negativ të profesionit të gazetarisë. Ke bërë atë që profesionistët në gazetari e quajnë humbje të etikës profesionale në emër të hakmarrjes. Gazetaria ka qenë aq mirë dhe aq e fuqishme këto vitet e fundit sa është dashur të jesh shumë i pashije dhe i veshur me dozë poshtërsie ta dëmtosh dhe ta shkatërrosh veten në këtë derexhe.

Postimi yt i fundit shënoi një thyerje drastike të profesionit dhe shijes, që për ty mund të jetë e pakthyeshme në të ardhmen. Ky është modeli i së keqes së profesionit të gazetarisë dhe modeli i shënimit të mungesës profesionale. Model se si mund të shitet hidhërimi në emër të një asgjëje profesionale.

Sokol, ti po e mashtron të kaluarën profesionale. Ka shkelur dinjitetin profesional duke ia vënë në dispozicion të keqes faqen e Facebook-ut dhe ekranin. Ato përdoren brutalisht duke i ofruar opinionit publik vetëm imazhe dhe regji konspirative, duke harruar të ofrojnë atë që është dhe misioni i gazetarisë: të vërtetën objektive.

Njeriu i profesionit mund të pranojë që të jetë pjesë e një qëndrimi. Mund të bëjë edhe shkelje profesionale duke marrë anë, sepse konsideron se është në të mirë të së vërtetës dhe opinionit publik, por ta përdorë veten deri aty ku nuk merr pjesë në ndërtimin e rrëfimit të gazetarisë dhe pranon të jetë pjesë e shijes se keqe, përbën një rast që lë gjurmë njerëzore dhe profesionale. Unë, edhe kur nuk pajtohem me dikë, nuk fyej. Por edhe kur dikë nuk e dua, e kursej nga urrejtja ime. Nuk e bëj kurrë pjesë të shkronjave.

Sokol, dorën në zemër, unë kam besuar se do bësh diçka më mirë. Tash po tregohet se zhvillimi yt profesional po del se është huqje e madhe. Mund ta kesh emisionin me shumë shikues, por mbetesh njeri i vogël. Ajo që po krijon është një falsitet. Ide e pambaruar. Ide pa vazhdimësi. Tash mund të flasim vetëm për vdekjen profesionale të emisionit që ti e udhëheq. Mund të jesh kameraman apo shikues i zakonshëm. Aty, fjala Story ndërmjet ngjarjes dhe shikuesit më s’ka kuptim. Sepse unë dhe 50 të tjerë që ishim në Beograd, pas kësaj poshtërsie, s’mund të flasim për të vërtetën tënde.

E treta me moralin

Sokol, përveç dëshirës për të publikuar dhe për ta përdorur Facebook-un për qëllime personale, apo edhe më keq, për të qenë pjesë e një presioni për shkaqe thjesht biznesi, duhet të kesh një moral në shkronja. Pra, 50 përqindëshin e njeriut profesional. Ndryshe, çfarë është dallimi yt me dhunuesit, vrasësit, hajnat e bankave dhe tifozët në Beograd?

Çfarë është dallimit yt në krahasim me kriminelët? Sepse një patriot primitiv mund të më vrasë në emër të gënjeshtrës tënde kur, në këtë lloj gazetarie postimi, shkronjat përdoren si dhëmbë e jo si vlerë komunikimi. Kuptohet, gjuha denoncuese edhe kur është ad hominem ka edhe një moral, ku postuesi i shkronjave dallon nga gjuha e tavolinës dhe e thashethemeve. Lehtësia e padurueshme e përdorimit të fjalorit për të ofenduar dhe shpifur, si në rastin në fjalë, nuk i takon as armiqve që e kanë tepruar me raki në një kafene të mbyllur qyteti, e lëre më që fjalë të tilla të përdoren në postime si ofendime ordinere.

Natyrisht, ky ekspozim i poshtërsisë profesionale është për të ardhur keq për faktin se kjo gjuhë në Facebook, gjithandej degjeneroi tej mase, duke vendosur fëlliqësinë dhe fyerjet në vend të gazetarisë. Kjo lloj lirie shkronjash, që në pamje të parë duket e guximshme, në të vërtetë ka pamoralshmëri. Është aq shumë e pagdhendur dhe pa fije shprese se një ditë mund të kthehet në normalitet, sepse është pjesë e një dore njerëzish, ndoshta edhe të paaftë dhe të pafuqishëm për të përdorur gjuhë normale komunikimi.

Sokol, nuk po të them të kërkosh falje publike sepse t’i nuk ke fuqi morale ta bësh këtë. Koha dhe publiku do ta dëshmojnë ty dallimin mes fuqisë së fjalës dhe pafuqisë së poshtërsisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button