Heshtje tradicionale dhe kokë të ulura

Frika për ta shprehur publikisht pakënaqësinë në Maqedoni tani më është shndërruar në diçka tradicionale. E gjithë kjo vjen si pasojë e shoqërisë së ndarë në shumë sfera, duke u nisur nga ndarja partiake ndërsa besimi në institucionet e vendit është shumë i ulur.
Kështu shprehet për REL, Aleksandar Cvetkovski nga organizata joqeveritare AGTIS.

“Të paktën unë personalisht nuk shoh se diçka mund të ndërmerret në këtë drejtim, mund vetëm të fermentojmë 50-60 vite ashtu si demokracitë e perëndimit të cilët i kaluan, këto “sëmundje fëmijërore”. E gjithë kjo gjendje e shpjegon edhe heshtjen e studentëve në lidhje me ndryshimet e fundit në arsimin e lartë, ndryshime që cenojnë autonominë e Universitetit” shprehet Cvetkovski.

Sipas tij, viteve të fundit çdo ndryshim në sferën e arsimit kalon pa asnjë reagim nga studentët pasi që ata kanë ushtarë partiak në organizimet studentore.

“Problemi është ende më i komplikuar se sa që duket. Fillimisht në zgjedhjen e liderëve të studentëve shohim që vite me radhë është invovluar politika dhe ata që zgjidhen janë persona besnik ndaj partisë në pushtet” thotë Cvetkovski.

Përpos universitetit “Shën Kirili dhe Metodij” i njëjti problem qëndron edhe me Universitetin shtetëror të Tetovës. Vite me radhë studentët e USHT nuk reagojnë as për kushtet e këqia as për testimin ekstern, ndërkaq Parlamenti Studentor duket sikur të mos ekzistojë pasi që udhëhiqet nga person i cili flitet të tejet ngushtë i lidhur me partinë shqiptrare në pushtet.

“As që e kemi idenë se çfarë do të thotë Parlament Studentor, kjo par arsye se nuk kemi hasur në as të vetmin aktivitet të këtij parlamenti, marionetë e rektorit. Përveç se nuk ka organizuar asnjëherë debat apo aktivitete tjera, nuk i mbron edhe studentët. Kjo do të thotë se Parlamenti Studentor është vetëm terminologji për ne. Me sa di un kryetari duhet zgjedhur dhe jo emëruar sikur në këtë rast. Mua nuk me ka hasur as të votoj e as ta njoh kryetarin. Nuk di si është ai në atë post kur shumica e studentëve as që e njohin “përfaqësuesin e tij. Nuk di ndonjëherë të jemi informuar se ka zgjedhje për kryetar të Parlamentit Studentor, e aq më pak të jemi pjesë e kampanjës së tyre. Këto dhe shumë shkaqe na japin arsyen që ne ta revoltohemi” tha studenti Adrian Kerimi për Portalb.

Studentët u mblodhën për të reaguar në lidhje me testimin ekstern, por pa ide të qartë për hapa të mëtejme.

“Pakënaqësinë studentët për testimin ekstren e shprehën vetëm përmes rrjeteve sociale dhe në disa portale. Por nga ana tjetër ndërkaq Parlamenti Studentor i UKM doli në mbështetje të reformave në arsim. Vetëm profesorët dhe studentët janë ata të cilët mund të reagojnë dhe shpresoj që do të kemi një zgjim të opinionit akademik për ta ndaluar prishjen e mëtejmë të sistemit arsimor” shprehet për REL, profesoresha Mirjana Najçevska.

Duke e marrë për shembull USHT-në, gazetari Senat Zylbeari thotë se para disa viteve Parlamenti Studentor ishte ai që kërkonte ndryshime, por tani të gjithë e kanë mbyllur gojën nga frika e hakmarrjes politike. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button