Deputetë e PS thirrje Ramës të shkojë në Beograd: Të mos biem pre e racizmit serb dhe e nacionalizmit të Berishës

Dhjetë deputetë të Partisë Socialiste i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama të shkojë në Beograd, për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë. Shqipëria është një komb që është shembull për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në këto kushte, vizita e Ramës do të përcaktojë marrëdhënie të reja diplomatike me Serbinë, nëse kjo e fundit do të pranojë. Deputetja socialiste, Vasilika Hysi, në një prononcim për gazetën “Sot”, theksoi se vizita e Ramës në Beograd, do të dëshmojë se ne nuk biem pre e racizmit, ksenofobisë së Serbisë dhe e nacionalizmit të Berishës. “Rama duhet të shkojë në Beograd. Ne, nuk kemi pse të bëhemi pre e racizmit dhe ksenofobisë së serbëve. Ne duhet të tregojmë se jemi ndryshe nga ata”, u shpreh deputetja Hysi. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe deputeti socialist, Sadri Abazi. “Po duhet të shkojë në Serbi. Rama është kryeministër i një vendi i cili nuk është problem në Ballkan, por është shembull. Jemi një komb që historikisht ka kërkuar paqe dhe miqësi me fqinjët”, u shpreh Abazi. Deputeti Paulin Sterkaj, ka mbështetur vizitën e Ramës në Serbi, ndërsa shtoi se duhet të punohet për krijimin e një klime të qëndrueshme dhe se kjo situatë nuk duhet të ndikojnë negativisht në situatën në Ballkan. “Politika e ka këtë, por nuk besoj se duhet marrë absolute për mbarëvajtjet e Ballkanit kjo ngjarje sportive”, tha Sterkaj. Ndërsa deputeti Dashamir Peza, tha se duhet të krijohen kushtet për një vizitë normale.

Serbët, prapa në kohë

Ligjvënësit e majtë shprehen se Serbia dëshmoi se nuk është shkëputur nga e kaluara, por Shqipëria nuk duhet të bjerë pre e provokimeve dhe duhet të dëshmojë se është një vend i NATO dhe i BE. Deputeti socialist, Arben Çuko, u shpreh se Rama duhet të shkojë në Serbi, që bota të bëjë dallimin mes mentalitetit serb dhe shqiptar. “Rama duhet të shkojë, që të bëhet dallimi i mentalitetit serb dhe atij shqiptar. T’u tregojë serbëve se ne jemi ndryshe dhe jo të bëjmë haraçllëqe siç i bëri Serbia, Putinit. Unë kam përshtypjen se këto gjëra do të ndodhin përballë qytetërimit perëndimor shqiptar dhe qytetërimit lindor serb. Ne duhet t’i tregojmë botës se jemi ndryshe, jo si serbët që ende nuk janë shkëputur nga e kaluara”, u shpreh deputeti Çuko. Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Kopliku, thekson se vizita e Ramës në Beograd është e rëndësishme pas ngjarjes që ndodhi në Beograd. Sipas tij, të dy kryeministrat duhet të dalin me një qëndrim konkret pas vizitës dhe gjërat t’ia thonë në sy njëri-tjetrin. “Unë them që Rama të shkojë në Serbi. Gjërat duhet t’ia thonë në sy njëri-tjetrit gjatë takimit, dhe jo nëpërmjet deklaratave në media. Europa kërkon bashkëpunim, dhe këtë Rama duhet t’ia tregojë Europës. Nëse serbët nuk pranojnë bashkëpunimin dhe dialogun, është punë për ta”, u shpreh deputeti Kopliku.

Baraj dhe Kokëdhima

Deputeti socialist, Besnik Baraj, ka komentuar situatën në Beograd. Ai ka theksuar se politika e dy vendeve duhet ta trajtojë me pjekuri ngjarjen në Beograd. Pra, Rama dhe Vuçiç duhet të takohen dhe të flasin me seriozitet edhe sa i takon marrëdhënieve mes dy vendeve. “Ngjarja e ndeshjes në Beograd është future në shtëpitë e çdo familje, ka ngacmuar zemrat dhe mendjet e gjithsecilit shqiptar në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal të zi e kudo ku sot jetojnë shqiptarë. Për shkak të zhvillimit dramatik dhe emocional, është hapur një plagë e cila duhet kuruar me maturi nga faktorët politikë të dy vendeve, të cilët normalisht duhet të qëndrojnë mbi emocionet e tifozëve dhe nacionalizmave. Por kurim presim edhe nga institucionet politike ndërkombëtare dhe ato të futbollit më në krye Blater-Platini. Nga pala shqiptare ka patur maturi e qytetari, ndërsa i ndryshëm ka qënë qëndrimi i shtetarëve serb”, u shpreh Baraj. Edhe deputeti Koço Kokëdhima u shpreh se Rama duhet të shkojë në Serbi. Ai këtë e ka shprehur gjatë vizitës që zhvilloi në shtëpinë e Agollit për t’i uruar atij 83-vjetorin. “Diskutuam për zhvillimet politike në vend, për ngjarjet e fundit në stadiumin e Beogradit dhe vizitën e pritshme të Ramës atje dhe për disa çështje të tjera mbi zhvillimet e të majtës shqiptare. Ndamë të njëjtën pikëpamje se Rama duhet ta vizitojë Beogradin më 22 tetor”, shkruan në Facebook, Kokëdhima./sotnews/

Lajme të ngjashme

Back to top button