“Blindohet” Ambasada shqiptare në Beograd

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd ka njoftuar se zotëron informacione se selia e saj mund të bëhet objekt i një proteste të dhunshme.

Burime nga selia diplomatike kanë deklaruar se rreziku vjen nga tifozët e skuadrave të futbollit, Partizani dhe Crvena Zvezda, mes të cilëve ka grupe huliganësh.

Sipas burimeve, aktualisht pranë Ambasadës Shqiptare ka një prani të theksuar të forcave të policisë serbe, si dhe të katër autoblindave të pajisura me pompa uji, për të shpërndarë protestuesit në rast të një tubimi të dhunshëm.

Ndërkohë, lajmi për mundësinë e një protestë të tillë është konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme shqiptare në Tiranë.

Në ditët e fundit, Ambasada Shqiptare në Podgoricë të Malit të Zi u bë dy herë objekt sulmesh nga persona të ndryshëm, të cilët shkaktuan jo thjesht dëme në pjesën e jashtme të godinës, por hynë edhe në brendësi të saj. E gjitha kjo ndodhi në praninë e policisë.

Top Channel transmetoi pamjet ekskluzive të atyre ditëve, nga të cilat mund të dallohej lehtësisht se si këta persona, me kapuç në kokë për të mos u dalluar, kryen sulmet e tyre jo vetëm natën, por edhe ditën dhe në prani të forcave të rendit.

Nga pamjet dallohej qartë se si tre persona godisnin brutalisht godinën duke hyrë edhe në brendësi të saj, pasi kishin shkelmuar derën kryesore. Ndërkohë, punonjësi i policisë, i vënë në ruajtje të godinës, qëndronte krejtësisht indiferent.

Sipas medias malazeze, tre personat, të cilët më pas u arrestuan nga policia vendase, kishin thyer xhamat e Ambasadës dhe të një lokali të ndodhur pranë saj. Por, veç dëmeve materiale nuk pati të lënduar në njerëz, duke përfshirë këtu edhe personelin e Ambasadës shqiptare.

Ndërsa natën mes së enjtes dhe së premtes lokale dhe furra buke në pronësi të shqiptarëve nga Kosova u sulmuan nga grupe huliganësh në krahinën e Vojvodinës.

Vetëm në Novi Sad u shkatërruan pjesërisht dhe plotësisht nëntë ndërtesa ku ushtronin aktivitet shqiptarët, dy prej të cilave pësuan dëmtimet më të mëdha për shkak të sulmeve me bomba molotov.

Pasditen e së premtes situata u qetësua, por megjithatë pronarët e lokalëve kërkuan mbështetjen e policisë pasi u druhen sulmeve të tjera.

Sulme të ngjashme, të cilat nisën pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, pati edhe në qytetet Sombor, Stara Pazova, etj, ku u hodhën edhe bomba por që për fat të mirë nuk shkaktuan të lënduar. /Top Channel/

Lajme të ngjashme

Back to top button