Davitkovski: Marrëveshja e Ohrit, aktualisht, po zbatohet ashtu siç i teket dikujt

Marrëveshja e Ohrit është fakt i kryer dhe se duhet zbatuar drejt, ndryshe nga deri tani kur, sipas tij, zbatimi është varur nga vullneti i politikës, vlerëson Dekani i Fakultetit Juridik dhe ish-kryetar i Komisionit për “24 dhjetorin”, Borçe Davitkovski.

Në intervistën për Inbox7, profesori thotë se Marrëveshja e Ohrit është pjesë e sistemit juridik të vendit dhe se duhet respektuar, pa u marrë me çështjen e vjetër nëse është dashur të nënshkruhet apo jo.

“Marrëveshja e Ohrit, aktualisht, po zbatohet ashtu siç i teket dikujt. Kjo ndodh kështu sepse nuk kemi qasje konsistente. Nëse Marrëveshja është nënshkruar, janë ndryshuar Kushtetuta dhe ligjet, është pjesë e sistemit juridik, atëherë kjo duhet respektuar. Nuk mund t’i rikthehemi çështjes nëse duhej të ishte nënshkruar apo jo”, thotë Davitkovski.

Ai merr për shembull Qytetin e Shkupit, ku edhe pse shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë dhe dygjuhësia është e obliguar, shqipja has në pengesa.

“Si ka mundësi që Qyteti i Shkupit të jetë dygjuhësor, ndërkohë që toponimet janë njëgjuhësore”, thotë profesori.

Por ai nënvizon se Marrëveshja e Ohrit duhet të vlejë edhe për komunitetin maqedonas atje ku është pakicë, gjë që sipas tij nuk ndodh.

Lajme të ngjashme

Back to top button