Ziadin Sela e do shqipen të barabartë me maqedonishten në Mbrëmjet Poetike të Strugës

Kryetari i komunës së  Strugës, Ziadin Sela ka kërkuar me çdo kusht që gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase, në edicionin e sivjetmë të Mbrëmjeve Poetike të Strugës (MPS). Këtë  kusht, siç mëson Portalb,  kryetari Sela ua ka transmetuar  anëtarëve të Këshillit drejtues të MPS , në një takim të mbajtur para disa ditëve.

Mësohet se takimi midis përfaqësuesve të  Komunës së Strugës dhe anëtarëve të këshillit Drejtues të MPS është zhvilluar në një atmosferë të tendosur, pikërisht për shkak të insistimit të Kryetarit të Komunës së Strugës Ziadin Sela, që gjuha shqipe të gëzojë statusin e njëjtë si maqedonishtja në këtë manifestim.

Madje, burime nga ky takim, i  kanë konfirmuar Portalb, se mbajtja e këtij manifestimi mund të vihet në pikëpyetje, poqese nuk merret parasysh kërkesa e kryetarit për përdorimin e barabartë të shqipes me maqedonishten dhe anglishten, në të gjithë rrjedhën e këtij aktiviteti poetik, ndër më të mëdhenjtë në botë.

Për më tepër, këto burime thonë se  nga plotësimi i kësaj kërkese do të varet edhe qëndrimi që do të mbajë Komuna e Strugës ndaj këtij aktiviteti të rëndësishëm kulturor, kur të kihet parasysh se ai zhvillohet në Komunën e Strugës, ndihmohet nga kjo Komunë, banorët e së cilës në pjesën dërmuese janë shqiptarë, kurse gjuha e tyre po lihet anash, kur bëhet fjalë për këtë manifestim të madh kulturor.

Se  kryetari Sela ua ka bërë të ditur drejtuesve të Mbrëmjeve Poetike të Strugës kërkesën që gjuha shqipe të jetë e barabartë me maqedonishten në edicionin e sivjetmë të festivalit të poezisë,  të afirmuar në të gjithë botën, për Portalb e kanë konfirmuar edhe burime pranë kryetarit të komunës së Strugës. 

“Kërkesa është plotësisht legjitime, kur  të kihet parasysh që aktiviteti mbahet në Komunën e Strugës, ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe flitet nga pjesa dërmuese e banorëve të kësaj  komune. Qëndrimi i Komunës ndaj këtij aktiviteti kulturor do të varet nga statusi që do të ketë gjuha shqipe në të”, deklaruan për Portalb burime pranë Kryetarit të Komunës së Strugës, Ziadin Sela. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button