Frika si instrument pushteti

Frika është instrumenti më i vjetër i pushtetit, këtë e thotë Fox Mulkder, protagonist i X-Files. Dhe nëse besoni që është vetëm një batutë televizive, provoni të shfletoni një manual të historisë: kur ka një krizë në horizont dhe shtyllat mbështetëse të një kombi apo një shteti nisin të lëkunden, frika shndërrohet në një burim që duhet mbajtur gjallë, për të mbajtur gjallë vetë kolektivitetin. Por për ta bërë këtë duhet një armik.

 

“Identitet“

 

Frikërat më arkaike ishin të ndryshme nga tonat”, thotë Paolo Scarpi, docent i besimeve fetare të botës klasike në Universitetin e Padovës. “Grekët e kohës së Homerit (shekulli IX-VIII para Krishtit) nuk kishin frikë nga vdekja në veçanti. Shumë më i madh ishte tmerri nga humbja e identitetit, pra të transformuarit në objekte. Për shembull, ishin të tmerruar nga ideja që mund të shndërroheshin në gurë”. Që këtu ka lindur miti i vështrimit të Meduzës që “të kthen në gur”. Dhe që këtu lind fjala kyç prapa të gjithë frikërave: identiteti.

Qytetet grekë e gjetën identitetin e tyre duke shpikur një armik për ta përshkruar gjithmonë si të keq e të shëmtuar, përtej realitetit të fakteve: “barbarët” (fjala onomatopeike e krijuar pikërisht nga grekët) apo më mirë njerëzit që flisnin një gjuhë të pakuptueshme. Dhe më barbarët mes barbarëve ishin persët. “Barbari përshkruhej si i ndryshëm në gjithçka: jo vetëm që nuk fliste si grekët, por as nuk hante si grekët, të cilët përcaktoheshin si “bukëngrënës”. Për më tepër, persët komandoheshin nga një mbret, i cili ishte i veshur me pushtet absolut.

Një tiran të cilin Platoni e trajton si të gatshëm të shijojë gjakun e të nënshtruarve të tij dhe i gatshëm për çdo lloj dhune kundër qytetarëve të tij vetëm për të mbajtur i vetëm shkopin e komandës”. Që këtu, deri në shndërrimin e persëve, pushtues të territorit grek në vitin 490 para Krishtit, në kërcënimin më të madh për identitetin helenik kaloi shumë pak kohë.

“Në teatër (ku plazmohej opinioni publik) dhe në historiografi (që ishte e destinuar për lexime publikë) kundërshtimi u bë ideologjik dhe fetar: toka e njërit (Persia monoteiste dhe absolutiste) kërcënonte atë të tjetrit (Greqia e qyteteve-shtete politeistë). Praktikat rituale, legjendat dhe e gjithë ajo që ne e quajmë fe greke mori detyrën që të çimentonte dhe lartësonte identitetin kolektiv grek”.

Përveç se, kur u zbeh rreziku pers, duhej të krijohej një armik i ri, këtë herë i brendshëm: ish-aleatët spartanë që – sipas propagandës së athinasve – vinin në rrezik demokracitë greke dhe që, pothuajse nga mbrëmja në mëngjes gjendeshin në krahët e të huajve.

Pushtime apo migrime?

 

Barbarët ishin partnerë mësimi të politikës së frikës edhe për romakët. “Përshkruheshin si bisha që në epokën republikane”, shpjegon historiani Alesandro Barbero. “Romakët mësuan shpejt, nga grekët, që të shihnin botën si një përplasje mes qytetërimeve dhe barbarive, mes arsyes greko-romake dhe pasioneve kafshërorë të të huajve, të paparashikueshëm e të pashtruar”.

Koleksionit të akuzave romakët i shtuan edhe një të përdorur nga mbretëri, perandori dhe qeveri të ndodhura përballë migrimeve të mëdhenj: barbarët, përveç se të shëmtuar e të këqinj, ishin për definicion edhe të shumtë dhe të pandalshëm. “Zhvendosjet e nomadëve janë të përshkruara si një det që vjen me dallgë njëra pas tjetrës: Keltët dhe Galët në epokën republikane, popujt e lindjes në atë perandorake”. Breni që poshtëron Romën duke kërcënuar “mjerë të fituarit” është një legjendë.

Por ai rrëfim, me burim një fakt historik, shërbente si paralajmërim kundër një fenomeni real: ekspansioni i keltëve nga Alpet deri në rrafshnaltë. “Kjo, ndonëse rreziku i vërtetë ndaj paqes ishin në të vërtetë romakët që imponoheshin me dhunë dhe masakra”, nënvizon Barbero. “Ishin barbarët që kishin frikë nga legjionarët. Aq sa në fund të gjithë u romakëzuan dhe u integruan në perandori. Integrimi ishte një mënyrë politike për të dëbuar frikën e të ndryshmit”.

E megjithatë, retorika zyrtare vazhdoi të flasë për gjoja sakrifica njerëzore të praktikuara nga të huajt edhe atëherë kur në krye të ushtrisë dhe të shumë provincave ishin tashmë shumë ish-barbarë.

 

Të pafe

 

Kur krishtërimi u bë fe e shtetit (shekulli IV) identiteti i pushtetit të ri u kompaktësua falë heretikëve. “Arianët, në mënyrë të veçantë, nga shekulli IV-V u përshkruan si monstra, pasi doktrina e tyre u konsiderua heretike. Armiku tashmë nuk përcaktohej mbi bazë etnike, por mbi bazë fetare”, thotë Barbero.

Demonizimi ishte shndërruar tashmë pjesë e një loje të hapur pushteti. Jo më kot djalli, një figurë pothuajse e panjohur në shekujt e parë të krishtërimit, debutoi pikërisht në Mesjetë. Dhe bashkë me të, edhe figura të tjera frikësuese.

“Ndërmjet epokës së Karlit të Madh (shekulli IX) dhe viteve 1000, në kronika u shfaqën ‘barbarë të rinj’ që i kundërviheshin qytetërimit kristian”, vazhdon historiani. “Emrat e tyre ishin vikingë, ungarë, saraçenë: ishin plaçkitës dhe, mbi të gjitha, paganë”.

Një element propagande ky i fundit që përdorej në mënyrë shtypëse gjatë dhe pas kryqëzatave. Dhe vala e gjatë e frikërave mesjetare ka mbërritur deri tek ne. “Përveç imazhit të demonizuar të botës islamike, edhe kështjellat dhe qytetet e rrethuar me mure i kemi pikërisht për shkak të frikërave të asaj epoke”, shpjegon Barbero.

 

“Një mbreti i kërkohej që të fortifikonte një zonë të caktuar, duke sjellë argumente sipas dokumenteve të kohës ‘frikën nga paganët’. Një zgjedhje ekonomike dhe sociale afatgjatë e lindur si kundërpërgjigje ndaj frikës”.

 

Armiku i përsosur

 

Kryqëzatat nuk kishin në shënjestër vetëm myslimanët. E para prej tyre ndriçohej nga pishtarët e ekspeditave ndëshkuese kundër hebrenjve. “Por ishte në periudhën mes Mesjetës dhe Rilindjes, një kohë e dominuar nga pasiguria, që paranoja kolektive kërkonte dëshpërimisht shkaqe në origjinë të ngjarjeve apokaliptike si murtaja”, vijon Barbero.

Duhej një varkë shpëtimi dhe hebrenjtë dukeshin të krijuar posaçërisht. “Akuzoheshin se helmonin puset dhe rrëmbenin fëmijët, izoloheshin nga shoqëria pjesë e të cilës ishin dhe vendoseshin në geto (që më parë nuk ekzistonin), tregoheshin me gisht përmes vendosjes së shenjave dalluese (ngjyra everdhë) dhe masakroheshin si kafshë”.

Një fenomen i instrumentalizuar nga kisha me një argument të fuqishëm që u sugjerohej besimtarëve: përralla e hebrenjve si popull zotvrasës.

“Shumë prej sajesave e shpifjeve kundër hebrenjve e kanë burimin që dy mijë vite më parë”, thotë Yves Chevalier, historian francez, autor i një analize të thellë të antisemitizmit në shekuj.

Në Egjiptin e greqizuar të vitit 38 pas Krishtit u regjistrua në fakt sulmi i parë antisemit i historisë.

“Në të gjithë lashtësinë hebrenjtë ishin të shpërndarë në çfarëdolloj profesioni dhe në çdo shtresë të shoqërisë, dhe kjo gjë nuk kishte gjeneruar konflikte”, shpjegon historiani. “Kishte ndjenja ksenofobe të përhapura (në një letër të shkruajtur nga një egjiptian anonim në shekullin I para Krishtit thuhet se në Menfi kishte njerëz të cilëve hebrenjtë u shkarkonin të vjella), por ishte kriza e identitetit e lidhur me dekadencën e kastës së fetarëve egjiptianë, me konkurrencën mes kulteve grekoromakë dhe hierarkive të krishtera që po lindnin që transformoi armiqësinë fetare në një opozicion ideologjik të parashtruar me argumente racionalë në shkrimet e intelektualëve të parë antisemitë”.

Stereotipe

Në zemër të qytetërimit lindor, në Aleksandrinë e Egjiptit u lëshua pra, e para kartë e identitetit antisemit. Shenja dalluese: miqësi e pakët (rektorët aleksandrinë e quanin amixia “ndarje”), mungesë atdheu (pasojë e diasporës), papastërti e lidhur me refuzimin e perëndive, përtaci (një satirë e lidhur me pushimin e të shtunës).

Për më tepër, mbërritën edhe përgojimet për vrasjet rituale. “Popullsia u bë të besojë se hebrenjtë e kishin për zakon që të flijonin një grek në ritet e tyre, gjë që kishte për qëllim ta shndërronte çdo hebre në armik”, rrëfen Chevalier. Një repertor makabër që, me pak ndryshime të temës, është përdorur edhe më vonë: që nga Kisha mesjetare deri tek Rusia cariste e duke përfunduar tek Gjermania naziste.

Mes viteve tetëqind dhe nëntëqind, kur identiteti i kombeve europiane hyri në krizë (dhe ata, në 1914 në luftë) antisemitizmi u shndërrua në një instrument propagande shumë i fuqishëm, i përforcuar nga teoritë raciste. Lindën kështu shumë fakte të rremë historikë të përgatitur në tryeza, si Protokollet e Parisë së Sionit: të shkruajtur nga një grup antisemitësh rusë të lidhur me policinë e fshehtë të carit dhe të botuar në 1903 si një tekst i konceptuar në ambient hebraik. Ata flisnin për një pushtim të botës prej një “komploti hebraik”.

E amplifikuar nga gazetat e nga radio dhe më vonë edhe nga kinemaja dhe televizioni, demonizimi i armikut u transformua në manipulim të masës me dy konfliktet botërorë dhe me Luftën e Ftohtë, mes viteve ’50 dhe ’80. Receta në gjysmëshekullin e fundit mbeti e njëjta. Fillimisht nxitja e ndjenjës së pasigurisë.

Më pas identifikimi i objektivit të frikërave: armiq të brendshëm (ish-skllevërit e liruar pas luftës që përfunduan në duart e Ku Klux Klan; “komploti judaist-masonik” që shtyu francezët e fundit të tetëqindës që të besonin në tradhtinë e gjeneralit hebre Dreyfus; revolucioni punëtor që gjermanët e kishin aq frikë saqë votuan me shumicë absolute në 1932 për partinë e Hitlerit dhe milicinë e tij antikomuniste) apo të jashtëm (SHBA dhe BRSS, që përshkruheshin reciprokisht si armiq të paqes).

Një kopje tragjikisht gjithnjë e më e ngjashme që në vitin 1948 u përmblodh nga shkrimtari anglez Aldous Huxley: “Pushteti mbështetet në tre kolona: frika, armiku, kombi”.

Lajme të ngjashme

Back to top button