AK: Edi, mos shko në Beograd, mos bëjë dëme si Enver Hoxha!

Aleanca KuqeZi i bën thirrje kryeminstrit të Shqipërisë, Edi Rama, të anulojë vizitën e tij në Serbi. Në një deklaratë për mediat, kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, thekson se tashmë ka ardhur koha që xhelati të kërkojë falje dhe jo viktima.

“Ne shprehim me të madhe kundërshtimin për një vizitë të tillë. Jo se jemi kundra fqinjësisë së mirë mes shtetit shqiptar dhe atij serb, por mendojmë se ka ardhur koha të nxjerrim mësim nga pësimi. Me vizitën e tij në Beograd, Rama bëhet kryeministri i parë që refuzon ëndrrat e një Shqipërie natyrale.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka vendosur të vizitojë shtetin më bllokues të interesave dhe të zhvillimit të kombit tonë. Serbia është bërë bllokada kryesore e integrimit të shqiptarëve në Evropë. Serbia nuk njeh pasaportën e Kosovës dhe nuk lejon dy milionë shqiptarë të lëvizin të lirë”, u shpreh Spahiu.

Më tej, ai theksoi se Qeveria serbe refuzoi dy ditë më parë hyrjen e çdo shqiptari në Beograd për të ndjekur ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe i mbylli kufijtë e saj për gjithë kombin shqiptar, por jo për Edi Ramën.

“Nëse Serbia mbylli kufijtë për shqiptarët atëherë ne duhet të mbyllim kufijtë për kryeministrin që shkon në emër të shqiptarëve. Aleanca KuqeZi e konsideron vizitën e 22 tetorit në Beograd të kryeministrit Rama të papranueshme dhe jashtë interesave të kombit shqiptar. Kosova është Shqipëri dhe jo zemra e Serbisë dhe ne i bëjmë thirrje kryeministrit të shtetit shqiptar të mos vizitojë Beogradin, pasi Serbia nuk ka hequr dorë nga e kaluara dhe para së gjithash kërkon me çfarëdolloj mjeti të mbrojë pretendimet e saj për Kosovën, në dëm të gjitha interesave të kombit shqiptar”, vijoi kreu i AK-së.

Sipas AK-së, shqiptarët duhet ta dinë se Edi Rama është i vetmi lider, pas Enver Hoxhës që guxon të vizitojë shtetin më antishqiptar.

“Është koha që xhelati të kërkojë falje dhe jo viktima”, përfundon deklaratën Spahiu.

Lajme të ngjashme

Back to top button