​Albin Kurti: Unë jam fëmijë i viteve ’80, jo i internetit e Red Bullit, por i TV’së dhe Coca-cola-s

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka rrëfyer lidhur me ndodhitë të cilat thotë të kenë ndikuar në formimin e tij, derisa veçon periudhën e rezistencës. Në një intervistë për revistën “Sheshi” ai tregon për vitet që kanë ngjizur botëkuptimin e tij, atëherë kur mbante flokë të gjatë dhe kishte shije artistike jo fort të zakonshme për moshën e tij.

“Unë jam fëmijë i viteve të ’80, pra jo i internetit e Red Bullit, por i Televizorit dhe Coca-Cola’s, jo fëmijë i doënlodimit ilegal përmes Torrent’ave, por i Kasetave VHS.

Në vitet ’80’të, përveç leximeve edhe të detyrueshme nga shkolla edhe të dëshirueshme për mua, muzika dhe filmat që i kam dëgjuar e shikuar kanë qenë me një shije artistike jo fort të zakonshme për moshën time. Nuk kam qenë i përshtatur me rrethin dhe gjithnjë kam besuar se ka diçka tjetër më të mirë sesa ai realitet që kishim. Për shembull, ndonëse Madonna ka qenë tejet e famshme dhe e preferuar në atë kohë, unë e kam dëgjuar Kate Bush. Dhe, jo dikë si Bon Jovi por Depeche Mode.

Në fund të viteve ’80’ta e në fillim të ’90’tave, ka pasur një dyzim interesant. Kanë qenë ata që kanë pëlqyer The Beatles dhe ata që kanë pëlqyer Rolling Stones. Ose, ishte e rëndësishme a ke qenë me Deep Purple apo me Led Zeppelin. Mua më kanë pëlqyer më shumë The Beatles e Led Zeppelin sesa Rolling Stones e Deep Purple.

Ca më vonë ka pasur një ndarje të re, me Nirvanën apo me Pearl Jam, dhe unë kam qenë me këta të fundit. Kjo ka qenë periudha “grunge”, për të cilën s’kam më simpati e nostalgji. Pra, asokohe ka qenë shumë e rëndësishme me kënd je. Shijet të poziciononin. Tamam ashtu qysh thotë sociologu i njohur francez Pierre Bourdieu: klasifikimi i klasifikon klasifikuesit.

Në vitin ’97 unë nuk kam qenë më ‘grunge’ dhe mendoja t’i pres flokët. Por, protestat më 1 tetor më zunë me flokë të gjatë ashtu kot. Pra, pyetja e vërtetë në këtë rast do të duhej të ishte “pse nuk i ke prerë flokët e jo pse i mbaje të gjata”.

Gjatë kohës së protestave të studentëve unë isha shumë lehtë i identifikueshëm nga policia për shkak të flokëve të gjata, dhe njerëzit më sugjeronin t’i pres flokët. Por, prerja e flokëve pasi veç ato u bënë shenja dalluese e imja, më dukej si shfaqje e frikës dhe e dorëzimit. Ndonëse flokët e gjatë disi funksionojnë si fshehje e fytyrës, flokët e gjatë në atë kohë ishin bërë fytyra ime dhe unë nuk mund ta fshihja atë.

Flokët m’i kanë prerë të nesërmen pasi më kanë arrestuar në vitin 1999, më 28 prill. Kjo datë ka qenë përvjetori i 25’të i martesës së prindërve të mi. Në burg m’i prenë flokët duke menduar se përveç dhembjeve fizike që m’i kishin shkaktuar me të rrahura, po ma shkaktonin edhe një dhimbje të re shpirtërore. Në fakt, me prerjen e flokëve ata veç më shpëtuan ngase në burg flokët e gjatë janë armiku i brendshëm i njeriut për shkak të problemeve me higjienë.

Gjyshja ime me thoshte “ta marrshin të keqen”. Kjo edhe ka ndodhur”./ Lapsi.al

Lajme të ngjashme

Back to top button