Legalizimi i Medresesë, obligim i MASH-it

Lajme optimiste vijnë më në fund edhe për medresantët e Maqedonisë. Ministria e Arsimit duket e vendosur t’ju japë fund statuseve të diskutueshme të shkollave të mesme fetare në Maqedoni, fiks 30 vjet pas ekzistimit të Medresesë “Isa beu” me seli në Shkup dhe me disa objekte të shpërndara në qytete të tjera, shkruan Koha.

Në vitin 1884, për nevojat e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni (BFI), në Shkup u themelua Medreseja “Isa Beu”, me një numër simbolik të nxënësve në atë kohë. Mirëpo, me kalimin e viteve – kjo shkollë jo vetëm që është zgjeruar edhe në Tetovë, Gostivar dhe në Shtip, por është rritur edhe në numër, pasi thuhet se deri tani janë regjistruar mbi 4000 nxënës. Por pavarësisht kësaj, diplomat e Medresesë nuk njihen zyrtarisht në radhë të parë nga MASH-i, për çka të gjithë ata që posedojnë një diplomë të ndarë nga ky institucion, nuk mund të drejtohet për regjistrim në asnjë universitet të Maqedonisë, në përjashtim të Fakultetit të Shkencave Islame apo të ndonjë institucioni tjetër laik me “vullnet të mirë”. Përveç kësaj, prindërit rrezikojnë të dënohen për “mos regjistrimin e fëmijëve në shkollë të mesme”, pasi Medreseja ashtu si dhe shkolla e mesme ortodokse, nuk kanë një leje të posaçme nga MASH-i për kryerjen e aktivitetit edukativo-arsimor. Është vetë njeriu i parë i MASH-it, Abdilaqim Ademi i cili pranon se shkollimi i mesëm fetar në Maqedoni është viktimë e përplasjeve juridike. De-fakto, ata nxënës e kryejnë shkollimin e mesëm, por de-juro llogariten pa arsim të mesëm të kryer, nënvizon Ademi. Për këtë, legalizimin e shkollave të mesme fetare në Maqedoni, përpos tjerash, ai e sheh si obligim të shtetit.

“Shkollat e mesme fetare për momentin janë jashtë sistemit arsimor, pasi nuk janë të akredituara. MASH nuk ka lëshuar vendim përkatës”, thotë ai, ndërsa pohon se ka kontaktuar kreun e BFI-së me të cilin kanë biseduar për gjetjen e mënyrës se si të zgjidhin çështjen e shkollave të mesme fetare. “Kemi ide për këtë dhe jemi duke shqyrtuar përvojat e shteteve tjera, veçanërisht të Turqisë. Mendojmë të përcjellim këtu tek ne përvojat e tyre”, tregon ministri. Angazhimi i MASH_it në këtë drejtim, sipas kreut të saj, është i obligueshëm edhe për shkak të Ligjit për arsim të mesëm i cili e bën të obligueshme këtë nivel shkollimi për të gjithë.
“Rregullimit i statusit të shkollave të mesme fetare është obligim i shtetit, sepse nxënësit që dalin prej këtyre shkollave kanë pastaj probleme gjatë regjistrimit nëpër fakultete, si dhe për faktin se në Maqedoni – është i obligueshëm arsimi i nivelit të mesëm”, deklaron ministri. Nxënësit që regjistrohet në shkolla të paakredituara në fund të shkollimit fitojnë një diplomë të papranueshme, plotëson ai.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button