Tahiri: Organizimi i haxhit këtë vit më i miri se në 10-15 vitet e fundit

Sot, mbi 3 milion haxhinjë nga mbarë bota po qëndrojnë në Arafat. Në mbrëmje do të zbresin në Fushën e Musdelifesë dhe nesër do të jenë në mine.

Janë mbi 1300 haxhinjë nga Maqedonia të cilët edhe sivjet në vendet e shenjta islame po qëndrojnë nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame në RM.

“Janë me dhjetëra falënderime e lavdërata që kanë arritur në postën elektronike të BFI-së nga ana e haxhinjve të cilët janë jashtëzakonisht të kënaqur me komplet organizimin, si me udhëtimin, me hotelet, me shërbimin e kryesisë së haxhit të formuar nga ana e BFI-së”, informojnë nga BFI.

Sekretari Gjeneral i BFI-së, Afrim ef. Tahiri konfirmon se, të gjithë haxhinjtë nga Maqedonia janë mirë.

“Në 10-15 vitet e fundit, organizimi i haxhit të sivjemë nga ana e BFI-së është dukshëm më i mirë dhe më i plotë. Kjo vërehet edhe në disponimin e mrekullueshëm të haxhinjve tanë. Në emër të kryesisë, dhe në emrin e haxhilerëve nga Maqedonia, besimtarëve tanë ua urojmë Kurban Bajramin, me lutjet më të sinqerta për paqe, harmoni, solidaritet, shëndet e dashuri”, ka theksuar ef. Tahiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button