Nxënësit shqiptarë të SH.F “Toli Zordumis” në Kumanovë Bojkotuan mësimin

Standardet e dyfishta për nxënësit shqiptarë dha ata maqedonas, në Shkollën Fillore “Toli Zordumis” në Kumanovë kanë detyruar prindërit shqiptarë që prej sot të bojkotojnë procesin edukativo-arsimor. Nga këshilli i prindërve grevistë thonë se shembull për këtë janë 4 klasat e para. Në paralelen në gjuhën shqipe e ndjekin mësimin 31 nxënës, ndërsa në rastin e nxënësve maqedonas, ata mësojnë në tre paralele të ndryshme, transmeton Alsat.

“Kërkojmë formimin të edhe një paraleleje me mësim në gjuhën shqipe duke pasur parasysh se numri i nxënësve shqiptarë sillet rreth 30 e që mësojnë vetëm në një paralele, kurse nxënësit maqedonas është njëjtë rreth 30 por janë të shpërndarë në tre paralele”, tha Rexhail Aziri , Këshilli i Prindërve.

Nga këshilli i prindërve shqiptarë gjithashtu thonë se përveç diskriminimit me numrin e nxënësve, në këtë shkollë gjuha shqipe nuk është zyrtare dhe në stafin drejtues të saj nuk ka asnjë shqiptar.

“Çështja e përdorimit zyrtar e gjuhës shqipe në shkollë, edhe atë emri i shkollës, vula dhe mbajtja e mbledhjeve në këshillin e prindërve të shkollës janë vetëm në gjuhën maqedonase. Kërkojmë zbatimin e ligjit për arsim fillor, neni 13 dhe 14, përkatësisht emri i shkollës, vula dhe mbajtja e mbledhjeve në këshillin e lartpërmendur të jetë edhe në shqip. Çështja e mos përfaqësimit adekuat në organet udhëheqëse të shkollës, administratë, bashkëpunëtorë profesional, pedagog, psikolog, stafi teknik, asnjë shqiptarë”, u shpreh Rexhail Aziri , Këshilli i Prindërve.

Lajme të ngjashme

Back to top button