Në Tetovë fillon Seminari i 8 i Albanologjisë
Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë në Tetovë, sot do ta hap siparin e tetë, kur edhe bëhet hapja zyrtare e tij. Në seminarin në të cilin pritet të marrin pjesë studiuesit në zë të shkencave të albanologjisë, në boshtin e tij ka temën “Kultura shqiptare- pjesë e pashkëputshme e kulturës evropiane”.
Studiuesit përgjatë 2 ditëve (25-26 shtator) sa do të zhvillohet seminari, do të mund të paraqesin kumtesat e tyre në katër sesione shkencore: në sesionin e gjuhësisë, sesionin e letërsisë, sesionin e historisë dhe atë të etnokulturës.
Sesioni i gjuhësisë do të ketë për temë “Arritjet dhe problemet aktuale e historike të gjuhës shqipe”, kurse ai i letërsisë ka për temë “Relacionet e letërsisë shqipe”. Në sesionin e historisë do të shtrohet tema “Trojet shqiptare në kohën e sundimit osman”, kurse sesioni i etnokulturës do zhvillojë punimet nën temën “Aspekte të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”.