Sot Fullani para Gjykatës së Apelit, Malaj i ‘përcakton’ fatin
Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, i cili ndodhet në qelitë e paraburgimit 302 për akuzën e shpërdorimit të detyrës, do të dalë sot përpara trupit gjykues të Gjykatës së Apelit të kryesuar nga Alaudin Malaj.
Seanca e sotme pritet të vendosë edhe fatin e ish-guvernatorit Fullani, pas apelimit të këtij të fundit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për masën e sigurisë arrest me burg ndaj tij.
Fullani do të jetë përpara trupës gjykuese të përbërë nga Alaudin Malaj Relator, anëtar Agim Bendo dhe Shkëlqim Miri. Përbërja e trupit gjykues të çështjes “Fullani” erdhi pas një shorti urgjent të organizuar nga Gjykata e Apelit, pas lajmit të dhënë nga “Shqiptarja.com” se në bazë të kalendarit të të masave, kjo çështje duhet të gjykohej nga Gjin Gjoni, i cili akuzohet nga ILDKP për fshehje të pasurisë në vlerën e 2 milionë eurove.
Vetëm një orë pasi “Shqiptarja.com” publikoi të enjten lajimn (në 14:20), një short urgjent u krijua në orën 15:30 duke shmangur gjykatësin Gjoni dhe duke vendosur relator kreun e Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj. Si pas një urdhri të lëshuar nga Malaj, të enjten më 15:30 u hodh shorti për gjyqtarët që do të shqyrtojnë masat e sigurimit, duke krijuar dy treshe për dy javët respektive 16-23 Shtator 2014 dhe 23 -30 Shtator 2014.
Në bazë të këtij vendimi, siguruar nga televizioni A1 Report, janë përjashtuar nga ky short gjyqtarët e kolegjeve penale, trupi gjykues i cili ka shqyrtuar masat e sigurimit nga data 1-15 Shtator 2014 sipas urdhrit vjetor me ndryshimet e tij, si dhe trupi gjykues i cili po shqyrton masat e sigurimit për periudhën 16-30 Shtator 2014, periudhë kjo në të cilën rezultonte relator gjykatësi Gjin Gjoni.
Ja si Malaj “i mori” Fulanin, Gjin Gjonit
Sipas këtij shorti janë krijuar dy trupat gjyqësore ku për periudhën 15-23 shtator ato do të jenë relator Alaudin Malaj Relator dhe anëtarë Agim Bendo e Shkëlqim Miri. Ndërsa sa i përket periudhës 23-30 Shtator me short është krijuar trupa gjyqësore me Relator Fatmira Hajdari, dhe anëtarë Ridvan Hado e Zamir Poda.
Ish-guvernatori Fullani është shkarkuar këtë të enjte nga ana e Komisionit të Ekonomisë, ndërsa në seancën e radhës parlamentare të 18 shtatorit shkarkimi i tij pritet të jetë në rendin e ditës dhe të aprovohet edhe në Kuvend.