Fullani zëvendësohet nga Elisabeta Gjoni

Banka e Shqipërisë do të drejtohet nga zëvendësguvernatorja Elisa Gjoni.
Kjo pas shkarkimit që iu bë guvernatorit Ardian Fullanit.

Vendimi është marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pas një mbledhje maratonë që ka zgjatur për mbi 5 orë.

Anëtarët e Këshillit nuk kanë dashur të komentojnë asnjë vendim pas mbledhjes e cila ka nisur në orën 19:00 dhe ka përfunduar në orën 23:30 të së shtunës.

Megjithatë zyrtarisht Fullani pritet të shkarkohet nga Parlamenti, pasi vendimi i Këshillit Mbikëqyrës i është përcjellë në formë propozimi Kuvendit të Shqipërisë për ta miratuar.

Në fillim të javës që vjen pritet të mblidhet edhe Kuvendi, i cili do të vendos përfundimisht për shkarkimin e Fullanit.

Mësohet se mbledhja urgjente e kësaj të shtune është thirrur nga zv.guvernatorja Elisabeta Gjoni, e cila zuri vendin e Fullanit në krye të BSH, pasi Ligji i Bankës së Shqipërisë parashikon vendosjen e zv.guvernatorit në drejtimin e Bankës, kur Guvernatori mungon ose kur ka pamundësi për të vepruar.

Mbledhja u zhvillua në zyrën e zonjës Gjoni, pranë ‘Medresesë’, aty ku BSH ka marrë disa ambiente me qira.

Këshilli Mbikëqyrës ka diskutuar krahas shkarkimit edhe për politikat që do të ndjekë Banka e Shqipërisë, por edhe lidhur me situatën financiare në vend pas dy arrestimeve, duke publikuar edhe një dekalaratë për stabilitetin financiar dhe dhënien e garancisë tek publiku.

Deklarata e plotë e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë:

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u njoh me ndalimin nga Policia e Shtetit të Guvernatorit, z. Ardian Fullani dhe të Inspektores së Përgjithshme të institucionit zj.Elivar Golemi. Deklarata e Prokurorisë që pasoi, bëri të njohur edhe akuzat që motivuan ndalimin e tyre.

Pas këtyre zhvillimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh dhe mori një informacion të detajuar rreth situatës. Në vijim, Këshilli Mbikëqyrës:

a) vendosi t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në bazë të nenit 47, pika 2, shkronja “c” të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”;

b) konstatoi se mungesa e Guvernatorit nuk krijon vakum institucional në drejtimin e institucionit, në kushtet kur përcaktimet ligjore dhe nënligjore mundësojnë kalimin e qartë të kompetencave të tij tek Zëvendësguvernatori i Parë;

c) shprehu mbështetjen e plotë për Zëvendësguvernatorin e Parë në marrjen e kompetencave për drejtimin ekzekutiv të bankës, dhe vlerësoi pozitivisht masat e marra prej saj për të siguruar vijimësinë normale të veprimtarisë operacionale të institucionit;

Këshilli Mbikëqyrës, siguron publikun dhe autoritetet e vendit që po ushtron funksionet e tij me përgjegjshmërinë më të lartë. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ofrojë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm me Kuvendin e Shqipërisë dhe me organet e zbatimit të ligjit, në mënyrë transparente dhe profesionale, me dëshirën për të zbardhur ngjarjen dhe për të sqaruar plotësisht përgjegjësitë e të gjithë personave të marrë nën hetim. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se falë masave që janë marrë dhe do të merren për përmirësimin e funksionimit të Bankës së Shqipërisë dhe falë profesionalizimit të personelit të saj, ky institucion do të rikthehet për të qenë simbol i krenarisë së shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

Lajme të ngjashme

Back to top button