U vendos gurthemeli i shkollës së mesme të Sarajit në Shkup (FOTO)

UPDATE

U vendos gurthemeli i shkollës së mesme të Sarajit në Shkup.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski, zëvendës kryeministri i ngarkuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, zëvendësministri i Arsimit, Safet Neziri, nënkryetarja e Kuvendit, Suzana Saliu dhe kryetari i komunës së Sarajit, Bekim Murati të gjithë këta morën pjesë në inagurim.

Kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati tha se ky objekt do të ndërtohet sipas standardeve evropiane dhe për këtë arsye falënderoi të gjithë personat dhe institucionet e përfshira në përpjekjet për realizimin e këtij projekti.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski tha se ndërtimi i këtij objekti modern i plotëson të gjitha nevojat e të rinjve të Komunës së Sarajit dhe më gjerë të cilëve u është dashur të udhëtojnë më shumë se dhjetë kilometra në shkollën e mesme më të afërt, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Kjo shkollë do të ndërtohet në hapësirë prej 1700 metra katrorë, me 7 klasa dhe 4 kabinete laboratorike. Në këtë shkollë mësimin mund ta ndjekin 350 nxënës në një turn mësimor. Mësimi do të zhvillohet në gjuhën shqipe. 

Projekti për shkollën e mesme në Saraj kap vlerën prej mbi 50 milion denarë, ndërsa investues janë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Komuna Saraj dhe Qyteti i Shkupit.

****************************************************************************
Më në fund vendoset gur themeli i shkollës së mesme në Saraj të Shkupit.

Pas shumë paralajmërimeve dhe afateve të shkelura, sot do të vendoset gur themeli i shkollës së mesme, këtë e ka paralajmëruar që dje zëvendës ministri i arsimit dhe shkencës Safet Neziri, në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

‘Me 13.07.2013 e shtunë në ora 12.00 në vendbanimin Saraj solemnisht do të vendoset gur themeli i shkollës së parë të mesme në Komunën e Sarajit. Të gjithë të interesuarit dhe dashamirët e arsimit janë të mirëseardhur në këtë ngjarje të rëndësishme’ shkruan Neziri në Facebook.

Sipas paralajmërimeve të kryetarit të Komunës Saraj, Bekim Murati të dhëna më herët, shkolla e mesme në Komunën e Sarajit do të jetë për rreth diku 600 nxënës, dhe me këtë do të plotësohen të gjitha kërkesat dhe nevojat për banorët e kësaj ane. 

Objekti i shkollës duhet të jetë gati në fund të vitit 2014. 

Projekti për shkollën e mesme në Saraj kap vlerën prej mbi 50 milion denarë, ndërsa investues janë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Komuna Saraj dhe Qyteti i Shkupit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button