Pushimet mbaruan

Shumë zët e kisha fillimin e vitit shkollor, anise e doja shkollën, e doja me usull, pra jo shumë (“Too Much Will Hearts You”, Queen.). Pikëllimi që me mbarimin e verës mbaron jeta pa orare ishte më i madh se sa gëzimi për bashkimin me shokët. Edhe atëherë, ashtu si tash, më tepër përshtypje më bënin shokët se sa shoqet. Temat e bisedave të tyre ishin më interesante, sherret më të pakta; nuk grupoheshin karshi tjerëve me formulat sekrete dhe të lodhshme që janë matematika tipike femërore. Miqësitë mashkullore duke qenë më spontane dhe të sinqerta, me distancë më të madhe, me diskrecion për temat private, dëshmohen më stabile dhe zgjasin më gjatë. Edhe në rastin tonë koha e vërtetoi këtë. Djemtë e klasës ende shoqërohen me sukses, ndonjëherë i takoj dhe muhabeti përherë vazhdon natyrshëm sikur s’ka kaluar shumë kohë ndërmjet; vajzat e klasës kryesisht kanë harruar njëra-tjetrën.

Miqësia është investim dhe asgjë e vlefshme nuk vjen pa u përpjekur. Është pikërisht përpjekja, kultivimi dhe nijeti i mirë ajo që i bën të vlefshme raportet: familjare, miqësore, romantike…

…e urreja 1 shtatorin aq sa e doja 10 qershorin, datë më e dashur se sa ditëlindja, Viti i Ri, etj. Atë ditë para muzgut e braktisnim Shkupin, jetën në ndërtesë, vetura shkonte më ngadalë se zakonisht, e stërngarkuar me torbat…gjyshja afër babës dhe ne me nënën e hareshme të ulur pas, pushimet kishin vetëm disa orë që kishin nisur.

Muajt e verës i kalonim në oborret rrethuar me gardhe, në “darjollin” afër gjimnazit të Tetovës. Mahalla, si gjithë mahallat tjera, plot fëmijë, zhurmë dhe jetë. Tash fëmijët, ashtu si edhe të rriturit, janë shpesh pa karar. Ata që nuk mbyllen brenda me teknologjitë e reja, luajnë jashtë tërë ditën, kthehen në shtëpi vetëm për drekë dhe vonë natën kur u flehet. Të tillë janë për shembull fëmijët e lagjes sime; loja i qetëson vetëm pjesërisht se e kanë një nervozizëm shpesh të shprehur me të sharra; celularët në xhep ua cungojnë lirinë dhe shpesh i bëjnë mashtrues para prindërve; mashtrimet i mësojnë edhe nga politika se shpesh flasin për politikanët që i dijnë me emra. Ne asokohe ishim më cool, nuk e humbnim toruan aq lehtë, mendonim se vetëm rrugaçët shahen, kurse nga politikanët e njihnim vetëm Titon.

Gjatë fëmijërisë sonë “aftësitë socializuese” fitoheshin përmes shoqërimit të përditshëm, askush pa pasur zort nuk shkonte në çerdhe të socializohet, gjyshet i kishim edukatore më të zoja se shumë edukatore të sotme që mendojnë se kulmi i programit edukativo-arsimor janë filmat e animuar, ashtu që me një sebep derisa fëmijët rrijnë pa lëvizur edhe ato munden rahat të kryejnë ritualet e kafesë. Për kreativitete tjera dhe edukim të mirëfilltë duhet ose nafakë me çerdhen e lagjes ose pare për çerdhe private.

…kur ishim të vegjël sinjal për t’u shpërndarë nëpër shtëpia ishte ezani i akshamit ose nëse helbete na ikte zëri i myezinit të supertalentuar të Xhamisë së larme, atëherë momenti tjetër ishin dritat e para të “banderave”. Ktheheshim në shtëpi të lodhur bile edhe për të shikuar televizion, s’kishim as kohë as inspirim për humbje të tillë kohe.

Bukur shumë kalonim gjatë verës, të lirë, të lumtur se liria dhe lumturia janë sinonime, kush është i lirë e din..

Sa ishte e bukur vera, aq dëshpërues ishte  fundi i saj, posaçërisht 31 gushti.

Rrugës për Shkup gati se nuk flisnim, as nëna nuk e kishte harenë e zakonshme se ndahej prej motrave, qante në heshtje.

Por posa hynim në banesë ajo rikthente humorin, i bënte ca truke, çdo vjet identike, dhe kaq mjaftonte që të fillojmë të ndihemi pak më mirë edhe përkundër fundit të verës dhe të sallamadisë aq të çmuar…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. me pelqen si tregim, eshte nje nga ata tregime qe me ca kujtime te bukura dijne te na shpien diku pas ne kohe, bukur, kendshem, me mostalgji po dhe me sinqeritet te kulluar.

    vetem nuk e kuptoj perse autorja e ka me kaq ngulm qe te shtoje fjale turke brenda tekstit… ndoshta ka dashur te shkruaje ne gjuhen e popullit e lexuesi ta ndjeje me afer, por fjalet prape se prape jane turke, dmth jo te popullit tone. ndoshta ne shek 20, lagjet perreth xhamise se larme s’kane pas shume mundesi t’ju ikin shprehjeve si me larte: sebep, helbete, nijet, etj etj, por sot ne shek 21 neve i kemi te gjitha brezat e shkolluar dhe te gjithe dijme te shkruajme paster shqip, qofte edhe me dialekt (por te pakten dialekti eshte dialekt shqiptar).

    ideja eshte qe mos te lejojme e pakten bastardizimin e literatures, dmth fjales se shkruar, se ne te folur pastaj s’kemi se cti bejme .

    me te mira,

Back to top button