Politika e ngurtë e Gruevskit përballë funksionarëve të rinj të BE-së

Ndryshimet në strukturat e BE-së, me zgjedhjen e kryetarit të ri të KE-së, Donald Tusk dhe shefes së politikës së jashtme, Federica Mogerini, nuk pritet të ketë ndonjë ndikim të madh përballë politikës së ngurtë integruese të kryeministrit Nikolla Gruevski, theksojnë analistët.

Maqedonia nuk arriti të shfrytëzojë përpjekjet e vazhdueshme të BE-së për vite me radhë, ndryshimet në postet udhëheqëse të BE-së, pritet të vazhdojnë të njëjtën politik si paraardhësit e tyre, por në raport me Maqedoninë duhet të shihet se cili do të jetë presioni politik që do të ushtrojnë ndaj qeverisë e cila vite të tëra tregohet indiferente ndaj vërejtjeve të vazhdueshme të BE-së, sa i përket funksionimit të shtetit ligjorë dhe korrupsionit në vend.

Ahmeti pret më shumë nga funksionarët e rinj të Brukselit

Kryetari I BDI-së, Ali Ahmeti shpreson se personat e emëruar në detyrat e reja, me mbështetjen e plotë të 28 vendeve anëtare, do të angazhohen fuqishëm për integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në Bruksel.

Sipas tij, udhëheqja e re e Brukselit do ta vendos rajonin tonë si prioritet dhe do ti shton përpjekjet për ta ndihmuar tejkalimin e çështjeve bilaterale në mënyrë që Evropa të bëhet një dhe e bashkuar.

Ndryshe nga ky optimizëm i Ali Ahmetit, analistët vlerësojnë se nuk do të ndryshojë gjë në çështjet integruese sepse pikërisht qeveria ku bënë pjesë edhe partia e Ahmetit është ajo që nuk dëshiron integrimin e vendit.

VMRO dhe BDI nuk duan NATO dhe as BE

Analisti Mersel Bilalli, thotë për Portalb, se nga zgjedhjet e reja në strukturat e BE-së, nuk mund të presim asgjë sepse qeveria e Maqedonisë nuk ka vullnet politik për integrimin në strukturat e BE-së. Ai thotë se gjithçka bëhet në mënyrë deklarative ndërsa në praktik punohet e kundërta.

“Nuk është problemi i bartësve të funksionarëve evropian edhe VMRO-DPMNE edhe BDI në mënyrë deklarative shprehen për Evropën, por me veprimet e veta bëjnë të kundërtën. Nuk mund të pritet asgjë, kur Brukseli kërkon administratë, gjyqësi, mediume të pavarura mos ndikim të politikës në biznes që janë parime themelore, Ndërsa qeveria e Gruevskit e forconë atë segment”, thotë Mersel Bilalli.

Kjo strukturë udhëheqëse e Maqedonisë nuk dëshiron NATO dhe as BE, deklarimet pro i ka vetëm si mbulesë dhe ne jemi peng e një politike të tillë të dështuar vite me radhë.

Ato janë bind se nga struktura qe menaxhon Gruevski nuk pritet gjë. Presioni i tyre do të fokusohet në gjetjen e kompromisit për emrin dhe mendoj se do ta sanksionojnë këtë politik sepse janë bërë shkelje shumë drastike të funksionimit të shtetit ligjore.

Integrimi nuk varet nga komisarët

Analisti Afrim Gashi, thotë për Portalb se, integrimi nuk varet nga komisarët e BE-së por nga liderët e shteteve të Ballkanit. Sipas tij duhet të gjithë ta kemi të qartë se integrimi i vendeve të Ballkanit do të bëhet atëherë kur ne do të ndërtojmë institucione dhe shoqëri të cilat bazohen mbi vlerat që i proklamon BE-ja.

“Se sa dëshpëruese është gjendja tek ne, flet edhe optimizmi i shfaqur nga disa liderë ballkanik lidhur me zgjedhjen e lidershipit të ri në Bruksel. Dëshpëruese është sepse dështimet e tyre mundohen t’i mbulojnë me zgjedhjen e komisarëve të rinj në institucionet e BE-së. Por, këta komisarë kanë prioritetet e tyre me të cilat ballafaqohet sot BE-ja, ata ballafaqohen me probleme jo të vogla, ndërsa integrimi i vendeve të Ballkanit ose nuk është aspak në agjendë ose vendoset në fund të listës së prioriteteve edhe atë, vetëm sa për të mbajtur gjallë shpresën e këtyre vendeve se ndonjë ditë do të bëhen anëtare të BE-së. Liderët e vendeve të Ballkanit edhe disa liderë partish, harrojnë se për t’u integruar në BE fillimisht duhet ndërtuar institucione si ato të BE-së, pra duhet të luftohet korrupsioni e të instalohet shteti ligjor, kurse këta vazhdojnë të implementojnë politika të cilat janë në kundërshtim me ato që i proklamon BE-ja, kurse nga ana tjetër shpresojnë të integrohen në BE, kjo është absurd në vete”, thotë Afrim Gashi.

Sipas Gashit, lidershipi i ri në Bruksel nuk i sjell asnjë risi politikave integruese, sepse ato ka kohë që na janë bërë të qarta.

“BE-ja ka mjaftë probleme brenda organizmit të saj, andaj ajo nuk dëshiron të inkorporojë probleme shtesë siç janë konfliktet mes shteteve të Ballkanit. Nëse vendet e Ballkanit ndonjëherë i zgjidhin problemet mes vete, e më pas do të arrinin stabilizim të brendshëm shtetërorë dhe ndërtim të institucioneve demokratike, atëherë mund të flasim për integrim të Ballkanit në BE, gjithçka jashtë kësaj është vetëm iluzion dhe ëndërr që dikush e shet për interesa të veta personale dhe grupore”, thotë Afrim Gashi.

Lajme të ngjashme

Back to top button