Barroso: Situata në Ukrainë, drejt një pike pa kthim

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka thënë se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndërmarrë “masa të fuqishme” kundër Rusisë për shkak të krizës në Ukrainë.

Një një konferencë të përbashkët me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, të shtunën në Bruksel, Barroso ka thënë se do t’iu propozojë shteteve anëtare një gamë të gjerë të opsioneve.

“Sa u përket masave shtrënguese ose sanksioneve, ky është një vendim për shtetet anëtare. Ajo çfarë mund t’ju them tani, në emër të Komisionit Evropian, është se ne tashmë kemi përgatitur disa opsione. Pra, ne e kemi kryer punën tonë nëse shtetet anëtare vendosin të lëvizjen tutje”, ka thënë Barroso.

Ai ka shtuar Bashkimi Evropian i mban dyert hapur për zgjidhje politike dhe se çdo ashpërsim i sanksioneve nuk ka për qëllim të përshkallëzojë krizën, por të shtyjë Moskën drejt negociatave.

“Sanksionet ose masat shtrënguese janë vetëm mënyra, mjete ose instrumente që t’i tregojnë udhëheqjes ruse se situata aktuale nuk është e pranueshme. Ne i inkurajojmë ata që t’i thërrasin arsyes dhe të punojnë në mënyrë konstruktive”, ka theksuar Barroso.

Kreu i Komisionit Evropian ka thënë se BE-ja nuk do një Luftë të re të Ftohtë, duke shtuar se një skenar i tillë do të ishte i dëmshëm për Evropën.

Ai ka thënë se kriza në Ukrainë është shumë serioze dhe se situata po shkon drejt “një pike pa kthim”.

Poroshenko, duke dënuar ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë, ka thënë se në vendin e tij tashmë ndodhen mijëra trupa të huaja.

“Për fat të keq, kjo vizitë vjen në rrethana jashtëzakonisht të vështira për vendin tim, përkundër përpjekjeve të konsoliduara ndërkombëtare. Ukraina është tani subjekt i agresionit dhe terrorit të huaj ushtarak”, ka thënë Poroshenko.(rel)

Lajme të ngjashme

Back to top button