Pas rrahjes me PDSH, BDI shtrin dorën e pajtimit

BDI-ja e Ahmetit shtrin dorën e pajtimit për dhënien fund të konfliktit mes deputetëve të saj dhe atyre të PDSH-së që kulminoi me rrahje gjatë debatit të komisionit parlamentar për financim dhe buxhet.

Sipas deputetit të BDI-së Artan Grubi, incidenti ishte i pahijshëm dhe si i tillë dëmton imazhin e deputetëve shqiptarë.

“Mënyra e dytë për ta tejkaluar këtë problem është që personat të cilët e nxitën këtë problem dhe personat të cilët morën pjesë  në përleshjen fizike në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë t’ia shtrojnë dorën e pajtimit njëri tjetrit. Dhe këtë mënyrë e përkrah BDI-ja dhe jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë nëpërmjet dialogut konstruktiv ta tejkalojmë këtë problem”, deklaroi Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Grubi komentoi edhe  deklaratën e një dite më parë të kreut të PDSH-së Menduh Thaçi i cili deklaroi se incidenti ka qenë skenar i Ahmetit dhe BDI-së. Grubi me këtë rast tha se deklarata e Thaçit ishte edhe një tentim për t’ia hedhur fajin dikujt tjetër.

“Mendojnë se shqiptarët e dinë shumë mirë se kush e ka fajin dhe kush e nxiti incidentin dhe nuk ka nevojë që të komentoj më tepër për përpjekje të tilla të dështuara që të gënjehen qytetarët shqiptarë dhe tu tregohet diçka e kundërt nga ajo që e kanë parë vetë me sytë e tyre”, tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.  /Alsat-M

Lajme të ngjashme

Back to top button