Ndërkombëtarët s’mund t’u sigurojnë imunitet dëshmitarëve të rastit “Monstra”

Nga Ambasada e SHBA -ve në Shkup thonë për “Lajm” se institucionet shtetërore kanë përgjegjësi që të mundësojnë sigurinë e qytetarëve. Një përgjigje të ngjashme dhanë për “Lajm” edhe nga zyra e BE-së në Shkup

Ambasada e SHBA-ve në Shkup dhe ajo e BE-së nuk munden tu garantojnë siguri dëshmitarëve që kanë gjetur familjarët e të akuzuarve të rastit “Monstra”, pasi sipas tyre siguria e qytetarëve në Maqedoni sipas Ligjit garantohet nga institucionet shtetërore.

Të premten familjarët e të akuzuarve të rastit “Monstra” thanë se kanë gjetur dëshmitarë të cilët janë të gatshëm të dëshmojnë se policia para se të arrestojë familjarët e tyre ka dash të arrestojë persona të tjerë, por nuk dëshmojnë dot, pasi  nuk kanë besim te shteti. Ata kërkuan nga Ambasada e SHBA-ve dhe e BE-së, si dy ambasadat tek të cilat kanë më tepër besim që të sigurojnë imunitetin e këtyre dëshmitarëve.

Megjithatë kërkesa e tyre është vështirë që të realizohet.

Nga Ambasada e SHBA -ve në Shkup thonë se institucionet shtetërore kanë përgjegjësi që të mundësojnë sigurinë e qytetarëve.  “Institucionet shtetërore kanë përgjegjësi të mundësojnë sigurinë e qytetarëve të cilët marrin pjesë në aktivitetet  themelore demokratike siç është dhënia e dëshmisë nga dëshmitarët gjatë proceseve gjyqësore”, thanë për “Lajm” nga ambasada e SHBA-ve.

Një përgjigje të ngjashme dhanë edhe nga zyra e BE-së në Shkup.

“Në përputhje me kornizën ligjore shtetërore është roli i institucioneve shtetërore që t’ju japë siguri qytetarëve dhe ti garantojnë liritë e tyre të të shprehurit  gjatë proceseve gjyqësore dhe në përgjithësi në shoqëri.”, thanë për “Lajm” nga zyra e BE-së në Shkup.

Gjatë protestave të së premtes të mbajtura më 22 gush familjarët thanë se kanë kontaktuar me dëshmitarët të cilët dëshmojnë se policia ka tentuar t’ua veshë fajësinë për rastin “Monstra” disa persona te tjera, por do të dëshmonin vetëm nëse sigurojnë imunitet nga Ambasada e SHBA-së dhe BE-së, pasi nuk kanë besim tek institucionet shtetërore dhe frikësohen.

“Kërkojmë nga Ambasada e SHBA dhe BE qe janë nga ambasadat e vetme qe ne u besojmë te garantojnë imunitet për dëshmitarët qe ne i kemi,  te cilët te mund te dëshmojnë ne funksion te pafajësisë se familjareve tanë te dënuar. Ka disa qytetare qe janë te gatshëm te dëshmojnë se para se te arrestohen 6 familjaret tanë, policia ka tentuar te arrestoje persona te tjerë, për tua veshur fajin për vrasjen e pesëfishte. Ata janë te gatshëm te dëshmojnë vetëm nëse fitojnë imunitet nga Ambasada e SHBA dhe BE”, tha të premten Daim Luçi, në emër te Këshillit Organizativ.

Po ashtu edhe kryetari i Këshillit Organizativ te Protestave, Bedri Ajdari tha se ekzistojnë dëshmitarë te cilët janë te gatshëm te dëshmojnë se policia ka tentuar t’ua veshe fajësinë për rastin “Mmonstra” disa persona te tjera. “Ata janë te gatshëm te paraqiten ne gjyq nëse marrin garanci nga Ambasada e SHBA-se dhe BE-se”, theksoi Ajdari.

Familjarët tashmë kanë kontaktuar me avokatin, mirëpo përsëriti se dëshmitarët me të cilët ata kanë biseduar kanë frikë të dëshmojnë, pasi  nuk kanë besim në shtet gjë që sipas tij është e kuptueshme./ Lajm

Lajme të ngjashme

Back to top button