Prokuroria thotë se vdekja e Mlladenovit ishte fatkeqësi

Deri në këtë moment, nga të gjitha dëshmitë që i ka mbledhur Prokuroria publike, nuk mund të konkludohet se deri te fatkeqësia e komunikacionit në të cilën jetën e humbi Nikolla Mlladenovi, ka ardhur si rezultat i veprës penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.

Këtë e deklaroi prokurorja Gordana Geshkoska në konferencën e sotme për shtyp ku morën pjesë ministresha për punë të brendshme Gordana Jankulloska, prokurori shtetëror publik Marko Zvërleski dhe kryetari i Gjykatës themelore Shkupi 1, Vlladimir Pançevski.

Shkaqet për fatkeqësinë e komunikacionit, siç theksoi Geshkoska, ka qenë sjellja dhe veprimi i atij që e ka vozitur veturën kur ka arritur në vendin kritik në “Hipodrom”, gjegjësisht këtë e ka bërë me shpejtësi të papërshtatur dhe me trajektorje joadekuate të lëvizjes.

Sipas dëshmive të mbledhura nga vendi i fatkeqësisë, ekspertizat e kryera dhe konstatimet e obduksionet, vetura e tipit “Mercedez” të cilën e ka vozitur Mlladenov, ka qarkulluar me shpejtësi prej 142 km/h, dhe më pas e ka goditur bankinën metalike në rrugën Veles-Shkup, te mbikalimi Hipodrom dhe ka dalë nga rruga.

Megjithatë, ekspertizat nuk kanë sqaruar dilemën më të madhe në opinion: ku ka qenë Mlladenov para aksidentit dhe me kë është takuar. Hetuesia nuk ka mundur ta vërtetojë lëvizjen e tij, ndërsa nuk kanë arritur të gjejnë as telefonin e tij celular.

“Nuk kemi gjetur asnjë telefon, ju këtë e dini, nuk kishte asnjë telefon në vendin e ngjarjes”, tha Gordana Geshkovska.

Pas thyerjes së bankinës, siç tha Geshoska, nga goditja vetura është lëshuar nëpër sipërfaqe tokësore, më pas ka fluturuar në lartësi prej pesë metrash dhe është rrotulluar në ajër në drejtim të boshtit të orës.

Trupi i Mlladenovit gjatë fluturimit të veturës ka dalë nga vetura nëpërmjet xhamit të përparmë të veturës, dhe është gjetur shtatë metra larg automobilit.

Kjo është konstatuar pas ekspertizës së kryer, ndërsa në xhupin që e ka pasur Mlladenovi është gjetur xham që përputhet me xhamin e parmë të veturës.

Sipas ekspertizës së kryer, shkak për vdekjen e Mlladenovit është këputja e aortës.

Mlladenovi, siç tha ajo, ka qenë vetë në veturë. /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button