Gjeneralët e vdekur!

E tashmja të frikëson, e dridhesh para së ardhmes, sepse e gjithë historia yte është shkruar nga të tjerë, e të tjerët kanë të drejtë të vendosin për (pa)perspektivën tënde. Vetëm kështu vetes nuk i beson, e i jep arsye edhe frikës!

 Agoni, nga Tetova, një ekonomist i diplomuar, e i talentuar, endet rrugëve që e çojnë vetëm drejt pakuptimësisë së jetës. Ndërkaq Dita, studentja e dalluar e gjeneratës, juristja kreative, troket dhjetëra dyer të mbyllura, ditës zhegut të Gushtit, por hap vetëm një, atë të depresionit, dhe konkludon se për të nuk ka vend pune. Gushti bëhet më i nxehtë e nata tmerrësisht e gjatë.

Pesimizmi ulet këmbëkryq e indiferenca bëhet sistem jete. Qetësinë amorale në këtë rrugë të humbur, e then ndonjë publikim aty-këtu për gjendjen aktuale, me nota të ashpra kritike, e ton të ngritur, por që mbetet vetëm në “tavolinën portaliane”. E është i përsëritur gjithsesi.

Dy shokët e ngushtë, ulur në tavolinën pranë lumit, “mësuesi i qytetit” dhe gazetari i “kohërave të rënda”, nën tingujt e lugës që prek anës gotës së çajit, kujtojnë me nostalgji kohërat kur shoqëria ndjente respekt për ta. Tanimë askush nuk i përfill. As studenti i tyre, që dikur luftonte me dobësinë e notave, e as miku i tyre, punëtor fizik, që ata i quan “zyrtarë të shtetit”.

Më pak nga të gjithë respektohen nga ky vend, që thith brenda tokës së tij, përditë e më shumë ëndrrën e pashuar të këtyre dy pleqve të urtë, për t’u zhvilluar shqiptarëve shqisën e arsimimit e profesionalizmit. Lotët e sinqeritetit dalin vetë, atëherë kur dëshmohet se kjo shqisë për të cilën ata dhuruan jetën, po zhduket dita-ditës. Rrugët e këqija marrin primatin, në tatëpjetën vdekje-prurëse, zhduket përgjithnjë kjo shqisë shqiptare.

Në vështrimin e lumit të trazuar, edhe dy pleqtë e urtë i trazon ende diçka përbrenda. Ata ndjehen fajtorë të kohës së kaluar. Krijuan protagonistët e sotëm – “gjeneralët e vdekur”, u dhanë udhë atyre, që sot po mbyllin çdo rrugë. E shpirti i pleqve ende është rebel. Sot merr fuqi kur bashkohet me ambiciet e mëdha të gjeneratës tjetër.

Tërë këto vite, gjithë këto gjenerata, mësuesi e gazetari, juristi e ekonomisti, takohen gjithnjë në ëndrrat për të ndryshuar realitetin. Por përsëri, mungesa e kurajës dhe frika për luftën e pistë që janë të gatshëm të bëjnë “gjeneralët e vdekur”, ëndrrat e gjeneratave i izolon brenda dhomës së tyre.

Janë këto “gjeneralë”, që duhet t’i luftojmë. Të gjitha gjeneratat janë bashkë, si kurë më parë, në këtë luftë të pakompromis me “gjeneralët e vdekjes”, që vite me radhë kanë mbjellur heshtjen tek ne.

Të çohemi nga tavolina e çajit dhe të dalim nga “tavolina portaliane”, t’i lëmë rrugët e depresionit, e të bashkohemi të gjithë, për të kthyer dinjitetin e secilit, e për të ringjallur shqisën e arsimimit e profesionalizmit. Kjo është rruga e vlerave, ndërsa “gjeneralët e vdekur” le të bashkëjetojnë me kufomat e tyre. Të mos i mbajmë më në jetë këto “gjeneralë”!

Lajme të ngjashme

Back to top button